Mbrëmë u mbajt nata e dytë e festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë.
Ndër emrat e njohur që performuan në skenën e festivalit ishte edhe reperi Action Bronson. Mirëpo gjatë performancës së tij, reperi në një moment ndezi marihuanë në skenë. Veprimi i tij bëri që të reagojë policia dhe ta arrestojë atë.
Sipas policisë, Bronson u arrestua bashkë me katër persona të tjerë, të cilët ishin të dyshuar për posedim narkotikësh.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar mediat në Kosovë se reperi është liruar disa orë më vonë.
“Mbrëmë në parkun e Gërmisë nga njësitë policore është ndalaur personi me inicialet A.B. nën dyshimin se është hasur në posedim dhe duke konsumuar substancë të dyshuar narkotike. I njëjti nën shoqërimin e njësive policore është dërguar në stacionin policor për intervenim dhe procedura të mëtutjeshme policore. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent, i njëjti është liruar”, ka thënë Kelani.
a.ç