Mbi 50 mijë biznese janë në kërkim të punonjësve të ndryshëm përmes faqes zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, puna.gov.al.
Konkretisht janë 51.325 punëdhënës të regjistruar, numër ky që është rritur ndjeshëm krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit, ku 3 mijë subjekte më shumë janë në kërkim.
Ndërkaq, janë rreth 10 mijë vend të lira pune aktive, për të cilat mund të aplikohet, por ajo që vihet re është se në njoftimet e bizneseve, kanë të renditura kërkesat sipas llojit të punës dhe kualifikimet që duhet të kenë punonjësit, ndësa vetëm pjesa e pagës, e cila duhet shënuar në modelin standard të aplikimit, është bosh, çka tregon që punëdhënësit “fshehin” nivelin e pagesave për të interesuarit.
Kjo mund të ndodhë për shkak të konkurrencës në treg, që të mos krijojnë stepje në aplikime, por ka edhe biznese që ofrojnë paga shumë të ulëta, apo nën pagën minimale prej 24 mijë lekësh.
Ajo që vihet re, është se bizneset kërkojnë më së shumti punëtorë krahu me, një pozicion që në fakt nuk kërkon as kurse profesionale. Paradoksi është që ndërkohë që ka shumë vende të lira në këtë pozicion, shumë punëtorë krahu e kalojnë ditën në zona të ndryshme të kryeqytetit, por jo vetëm, në pritje për t’u punësuar apo për të bërë punë sipas nevojave që mund të kenë qytetarë të ndryshëm.
Nga lista e vendeve vakante të publikuara on line vihet re gjithashtu se ka kërkesë të lartë pë zanate, si rrobaqepës, prestar, fadromistë, xhenerikë, vinçierë, saldatorë, këpucarë, shoferë, hidraulikë, marangoz etj.
Gjithashtu në listën e vendeve të lira të punës e gjejnë veten edhe punëkërkues me profesione që kërkojnë arsim të lartë, si inxhinierë, ekonomistë, specialistë të rrjeteve kompjuterike, bankierë, programues, e deri tek drejtorë. Vendet e punës janë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë dhe të interesuarit e kanë shumë të thjeshtë të aplikojnë, përkrah listimit të kërkesës dhe pasi të shohin kualifikimet e kërkuara.(SCAN)