Këtë verë Forcat e Armatosura kanë rritur edhe kapacitetet për menaxhimin e situatave me zjarret gjatë këtij sezoni veror. Helikopterët “Cougar” të Forcës Ajrore janë pajisur me kova të posaçme për shuarjen e zjarreve, me kapacitet 2500 litër secila.
Këto masa i ka bërë të ditura paraditen e sotme, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ministrja thotë se institucioni që ajo drejton, përmes Forcave të Armatosura e Drejtorisë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile është në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo emergjencë që mund të vijë nga shkaqe natyrore.
“Drejtoria e Emergjencave Civile ka qenë këto ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me specialistët e Emergjencave Civile në Prefektura, me stacionet e MZSH-së në bashkitë e qarqeve, drejtuesit dhe përfaqësuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, si dhe me pika të tjera të kontaktit në nivel qendror dhe vendor. Nga parashikimet e marra edhe nga IGJEUM, (Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit), në të gjithë territorin e vendit nuk ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme apo premisa për ndodhjen e tyre.
Së bashku me Forcat e Armatosura do të jemi në ndihmë të strukturave të pushtetit vendor, për të ndihmuar në rast të situatave të zjarreve. Edhe një herë i bëj apel qytetarëve, të bashkëpunojnë, që të shmangim pasojat që mund të sjellin fatkeqësi të ndryshme, veçanërisht në këto ditë të nxehta si edhe të rrisin përgjegjësinë e tyre individuale. Çdo veprim abuziv, i kryer nga pakujdesia apo me paramendim ndëshkohet me ligj”, deklaron ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhacka.
ma.me