Shteti më i populluar i Australisë, New South Wales (NSW) tani është tërësisht në thatësirë, kanë konfirmuar zyrtarët.
Një dimër i thatë ka intensifikuar atë që është quajtur thatësira më e keqe në kujtesën e gjallë në pjesë të Australisë lindore.
New South Wales prodhon rreth një të katërtën e prodhimit bujqësor të Australisë. U regjistrua zyrtarisht si “100% në thatësira” këtë të mërkurë.
Qeveritë shtetërore dhe ato federale kanë siguruar një fond prej 576 milionë dollarësh (330 milionë dollarë), në fondet e ndihmave emergjente.
“Nuk ka një person në shtet që nuk shpreson të shohë ndonjë shi për fermerët tanë dhe komunitetet rajonale”, tha ministri për Industrinë Primare, Niall Blair.
Australia jugore sapo ka përjetuar vjeshtën e dytë më të thatë, sipas Byrosë së Meteorologjisë, me reshje shiu 57mm (2.24in) nën mesataren.
Më pak se 10mm shi u regjistrua në pjesë të NSW në korrik dhe kushtet më të thata se kushtet normale parashikohen në muajt e ardhshëm.
Të mërkurën, zyrtarët thanë se 23% e New South Wales u klasifikua si “në thatësirë intensive”.
a.ç