Partia Demokratike përmes sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma thotë se një numër më i madh shqiptarësh kanë deklaruar se gjendja e tyre ekonomike është më e përkeqësuar këtë vit,krahasuar me një vit më parë, referuar shifrave të Eurobarometrit të BE-së.
“Eurobarometri, matësi i Bashkimit Europian për ecurinë e vendeve europiane dhe të Ballkanit Perëndimor, po konfirmon vit pas viti përkeqësimin e treguesve të zhvillimit të Shqipërisë. Tre problemet më të mëdha për shqiptarët janë ekonomia, papunësia dhe korrupsioni. Eurobarometri i 2018 për Shqipërinë, fakton që 1 milion 750 mijë shqiptarë deklarojnë që gjendja e tyre ekonomike është plotësisht e keqe. Vetëm në një vit, pra midis 2017 dhe 2018, janë shtuar 245 mijë shqiptarë më shumë, që deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është shumë e keqe. Po ashtu Eurobarometri tregon se për 67% të shqiptarëve papunësia është problemi më i madh i tyre. Në një vit të vetëm janë 315 mijë shqiptarë që e deklarojnë gjendjen e tyre shumë më keq. Këto nuk janë shifra, por jetë njerëzish që përkeqësohen, jo në dhjetë e njëqind, por me qindra mijëra”, thotë Duma.
Shqiptarët fatmirësisht besojnë ende se zgjidhja është BE, deklaroi Duma
“Por shqiptarët fatmirësisht vijojnë të besojnë se hyrja në BE është zgjidhja. Madje besimi se BE është shpëtimi është rritur me 2% brenda një viti, dhe 90% e shqiptarëve kanë këtë qëndrim”, tha Duma
a.ç