Të gjithë ata që nuk kanë mundësi që të shkojnë me pushime këto ditë të nxehta gushti, Parku i Liqenit Artificial është një alternativë e shkëlqyer. Paraditja ofron freskinë natyrale të pemëve dhe të çezmave të vendosura nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që nuk mungojnë aktivitetet. Por teksa bie muzgu, frekuentuesve nuk u iket nga Parku i Madh, ku gjen freski, qetësi unike, perëndime romantike, aktivitete e mundësi për kohë të lirë mjaft cilësore!
Gjatë mbrëmjeve mund të shijohet kinema verore, muzikë live nga grupe të rinjsh apo edhe të shijosh një ecje në këmbë në rrugicat gjarpëruese të liqenit. Parku i Liqenit Artificial është kthyer pas shumë vitesh në vëmendje të Bashkisë së Tiranës.
Këto tre vite, krahas ngritjes së një agjencie dedikuar parqeve dhe rekreacionit, Bashkia e Tiranës ka organizuar dhjetëra aktivitete duke i rikthyer gjallërinë dhe tërhequr dhjetëra qytetarë. Bashkia ka rehabilituar jo vetëm digën, por ka ndërtuar edhe pista vrapimi dhe biçikletash për të mbyllur të gjithë korsinë dhe të gjitha rrugët për këmbësorët në gjithë perimetrin e liqenit.
ma.me