Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje historike, ligjërisht të detyrueshme, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kështu deklaroi sot, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,, i cili përmes një deklarate për mediat, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe palëve të përfshira në këtë proces, që të përmbahen nga çdo lloj provokimi dhe të ruajnë qetësinë në një kohë shumë të rëndësishme për vendin tonë.
“Gjatë këtij rrugëtimi të domosdoshëm për sigurimin e paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, Republika e Kosovës do t’i përmbahet me përpikëri zotimeve për të ruajtur qetësinë dhe mos rrezikuar në asnjë mënyrë objektivin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, shprehet Thaçi.
Thaçi thekson se “pas krijimit të Ekipit Menaxhues, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të finalizojnë punën në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, bazuar në marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015 në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”./a.ç