Pas muajsh të tërë në hije, Ivanka Trump rikthehet në qendër të vëmendjes. Dhe e bën duke kritikuar hapur babain e saj, presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në dy nga temat që ai i ka më për zemër: emigrantët dhe mediat.
Vajza e presidentit u shpreh se është një gjë e gabuar ndarja e familjeve të emigrantëve, ndërsa gazetat dhe televizionet nuk janë armiqtë e popullit.
Ivanka e ka cilësuar ndarjen e familjeve të emigrantëve si pikën më të ulët të pranisë së saj në Shtëpinë e Bardhë, duke vënë theksin tek vështirësia në rolin e saj si këshilltare e babait president.
Mediat amerikane aludojnë se Ivanka e ka bërë këtë deklaratë e shtyrë nga ambiciet personale politike. Në fakt prej kohësh qarkullojnë zëra se ajo së bashku me bashkëshortin e saj Xhared Kushner kanë rënë dakord se nëse dikush tjetër nga familja do të kandidonte për Shtëpinë e Bardhë, do të ishte Ivanka, e cila synon të jetë presidentja e parë grua.
Kreu I shtëpisë së bardhë ka reaguar menjëherë në profilin e tij në Twitter duke thënë se vajza e tij ishte përgjigjur jo për mediat dhe jo për Fake News, pasi janë lajmet false armiqtë e vërtetë të popullit.
a.ç