Kryeministri Edi Rama i pranishëm në Akademinë Verore të FRESSH në Jalë u ndal tek zgjedhjet për kryetarë bashkie që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, ndërsa pohoi se PS do të zbatojë sërish kuotat gjinore.
Ai tha se të rinjve do t’u jepet mundësi në Këshillat Bashkiak.
“Angazhimi i të rinjve në fushatën e ardhme, në këshilla, ka qenë gjithmonë. Që të përfshihen edhe të rinj në Këshilla Bashkiakë. Nuk bëhet me kuota, por është diçka që ne e kemi në traditën tonë dhe e bëjmë çdo vit, ndaj do e bëjmë dhe vitin e ardhshëm. Kurse mua s’më ka shqetësuar asnjëherë raporti të rinj të vjetër. Më ka shqetësuar që në PS të ketë një raport të drejtë mes djemve dhe vajzave, burrave dhe grave. Për herë të parë kemi pasur një këshill bashkiak me kuota gjinore. Më pas vendosëm këtë kusht në PS. Në vitin e ardhshëm do të kemi 50-50 burra e gra. Tirana është në rrugën e duhur dhe aty po bëhet maksimumi” – tha kreu i ekzekutivit.
Rama deklaroi se do të akordohet një fond special për projektet, siç është dhe ai që ka dhënë BE-ja.
Teksa u përgjigje pyetjeve të të rinjve, Rama u ndal tek zhvillimet që ka pësuar vendi në infrastrukturë, apo dhe zgjedhjet për kryetarë bashkie në 2019-ën.
“Nuk janë lekët problemi i parë për këdo që do të hyjë në rrugën e një iniciative të lirë të çfarëdolloj. Problemi i parë është ideja dhe projekti. Nëse ka një projekt bindës, ka një mundësi financimi. Duhen gjetur këndet e shikimit dhe të shpjegimit të idesë që të ngjallin interes tek financuesit. Sot kemi një sfidë konkrete tani se si të mund të vëmë në dispozicion të njerëzve që jetojnë në fshat dhe që duan të shfrytëzojnë për ta një fond prej 90 milionë euro. 90 milionë euro janë shumë duke pasur parasysh kushtet tona, por mund të jenë edhe zëro nëse nuk jemi të aftë. Besoj se kush ka qenë këtu vitin e kaluar, ka pasur ndryshime. Deri vjet këtu ishte një kaos i paparë. Një rrëmujë e madhe me makina dhe situatë e degraduar. Sot ju e shihni se është një situatë krejt tjetër nga pikëpamja e infrastrukturës. Çka u degradua dhe u bë mbrapsht në 20 e kusur vite nuk do të mund të rindërtohet ashtu siç duhet në një kohë shumë të shkurtër. Nga ana tjetër besoj se truizmi ka hyrë në një fazë të re që na jep mundësi që të kemi të ardhura. Nga një mundësi e shfrytëzuar shumë keq në të shkuarën, turizmi është kthyer në një potencial. Të bësh transformime nuk është e lehtë, por të ngresh sistemin e profesioneve është e vështirë” – tha Rama.