Policia e gjeti trupin e vdekur pranë ashensorit të pallatit. Deri aty kishte arritur të zvarritej babai i familjes, që nga apartamenti i vet, ku mori dhjetëra plagë thikash nga tre vajzat e tij 19, 18 dhe 17 vjeçe.
Ngjarja ndodhi në një pallat në Moskë, ndërkohë vajzat Kristina (19 vjeçe), Angelina (18) dhe Maria (17) janë arrestuar për vrasjen e babait të tyre, Mikail Kaçaturian.
Sipas fqinjëve, ai ishte tip që përpiqej të bënte si fetar, por të gjithë e dinin që ishte shumë kontrollues dhe i dhunshëm jo vetëm me gruan, por sidomos me tre vajzat, të cilat e pranuan autorësinë e vrasjes dhe thanë që shkak u bë abuzimi që vazhdonte prej vitesh.
“E urrenim me shpirt dhe uronim çdo ditë që ai të zhdukej e të mos kthehej më”, thotë njëra nga vajzat”, të cilat ishin të detyruara të jetonin vetëm me të atin, pasi e ëma e kishte ndarë dhe ishte larguar me vëllain e tyre të madh.
Ato thonë që ai i rrihte rregullisht edhe për gjëra të vogla. Si shembull, njëra nga vajzat tregon se si i ati e kishte dhunuar për shkak të një qimeje qeni që kishte ngecur në tapet. Ai e kishte detyruar vajzën ta hante qimen, si ndëshkim.
Vajza tjetër shkon edhe më tej dhe e akuzon babain për ngacmim seksual, gjë që e kishte bërë të tentonte vetëvrasjen.
Policia ka zbuluar nga hetimet e deritanishme se pavarësisht se babai hiqej si besimtar para të gjithëve, në makinë mbante heroinë dhe shiringa të shumta, që tregonin se kishte varësi.
a.ç