Ministria e Financave ka reaguar pasi presidenti Ilir Meta ktheu në Kuvend ligjin “Për të ardhurat”. Ministria ka sqaruar se ndryshimet e propozuara në ligj për tatimin mbi lojërat e fatit nuk sjellin asnjë ndryshim apo relaksim të tatimit për kategoritë e lojërave të fatit nga ligji i vitit 2015.
Në njoftim sqarohet se “bëhet fjalë vetëm për unifikimin e procedurës së tatimit, për të gjithë kategoritë e lojërave të fatit”. Ndryshimi prek vetëm Lotarinë Kombëtare, e cila me ligjin e vjetër ka qenë e përjashtuar dhe tatohej sipas një ligji të veçantë në masën 10%.
“Presidenti, nëpërmjet mos dekretimit, ndoshta pa dashje, ka rrëzuar pikërisht parimin që synon të mbrojë, pra parimin e një sistemi të rreptë dhe njësoj i aplikueshem për të gjithë. Nëse ndryshimet e kthyera nga Presidenti nuk do të hyjnë në fuqi, atëherë do të kemi një trajtim të diferencuar të një subjekti në treg, i cili do të vijojë të tatohet me shkallë tatimore”, shkruhet në sqarimin e Ministrisë./a.m.