Policia suedeze është mobilizuar në një operacion të koordinuar nga toka, ajri dhe uji, në ndjekje të dy personave të paidentifikuar, të cilët ia dolën të arratiseshin me një motor uji pasi vodhën kurora mbretërore dhe objekte të tjera me vlerë të shekullit XVII.
Me një plan që u ngjan skenareve të filmave hollivudianë, dy persona vodhën në mes të ditës nga një kishë kurorat që janë mbajtur dikur nga mbreti Karl dhe mbretëresha Kristina.
Policia tha në një njoftim se objektet e vjedhura kanë vlerë të paçmuar monetare dhe kombëtare. Kurorat dhe objektet e tjera me vlerë ishin ekspozuar në kuti xhami në katedralen Strängnäs, në Stokholm.
Mbretëresha Kristina e ka sunduar Suedinë nga viti 1632 deri në vitin 1654, ndërsa mbreti Karl IX ka sunduar në vitet 1604-1611. Ata janë varrosur së bashku me kurorat, por këto të fundit u nxorën dhe u ekspozuan për besimtarët në kishë.
Dy hajdutët janë larguar me një motor uji, që sipas dyshimeve të policisë mund ta kenë braktisur më vonë./a.m.