Pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që pasaportat e këtij vendi të futen në të ashtuquajturën “Lista e bardhë të Shchengenit” dhe kur ky rekomandim të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në vendet e zonës Schengen.Në anën tjetër, qytetarët e Serbisë e gëzojnë këtë të drejtë që nga viti 2009.
Por, liberalizimi i vizave për këtë vend, nuk i ka përfshirë edhe pasaportat e lëshuara nga Drejtoria koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, e cila sipas një rregulloreje të miratuar, ua lëshon qytetarëve që kanë vendbanimet në Kosovë. Këto pasaporta, kryesisht i posedojnë serbët që kanë adresat në Kosovë.
Praktikisht, kjo do të thotë që në rast se Kosova merr liberalizimin e vizave, personat që posedojnë pasaportë të lëshuar nga Drejtoria koordinuese do t’iu nevojiten vizat për udhëtime, përgatiti Koha.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, deri në gusht të vitit 2017, janë lëshuar 2 mijë e 586 pasaporta të Kosovës për qytetarët e të katër komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke përfshirë këtu të gjitha bashkësitë. Ndërkaq, gjatë periudhës janar – maj të vitit 2018, në këto komuna janë dorëzuar 110 kërkesa për pasaporta të Kosovës. (b.an)