Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë gjyqin ndaj ish-gjyqtarit të arrestuar për korrupsion, Shkëlqim Miri. Shkak për shtyrjen e seancës së sotme ka qenë mungesa e prokurorit të çështjes. E sotmja ishte edhe seanca e fundit e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe gjyqi për Shkëlqim Mirin bën që të shtyhet për në muajin shtator, pasi gushti për gjykatat është pushim.
Procesi në ngarkim të Mirit ka nisur pak javë më parë, ndërsa i është refuzuar për 5 herë kërkesa për t’u liruar nga masa e sigurisë arrest me burg. Së bashku me ish-gjyqtarin i pandehur është dhe kushëriri i tij, Kujtim Miri, i cili nga hetimet e Prokurorisë rezulton se ka pasur rolin e sekserit në korrupsionin me 30 mijë euro për lirimin nga akuzat të një të dënuari për vrasje.
Nëntorin e 2017-ës ish-gjyqtari Miri u prangos, pasi dyshohej se duke lënë në fuqi një lirim për një shtetas të rrezikshëm mori 30 mijë euro. Vetë Miri i mohoi akuzat, por në banesë policia i gjeti dhe 34 milionë lekë të reja, të cilat u sekuestruan dhe u bënë pjesë e hetimit për mosjustifikim pasurie e deklarim të rremë.
Ish-gjyqtari i Apelit Shkëlqim Miri së bashku me kushëririn e tij Kujtim Miri, Alban Buci dhe Gentian Doda u arrestuar nga prokuroria për akuzën e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pasi kundrejt 30 mijë euro, lanë në fuqi dënimin me 8 vite burg për Gentian Dodën, dënim i cili i solli lirinë të akuzuarit për vrasje në Burrel.
Hetimi i prokurorisë nisi pas informacioneve të marra se funksionarë të drejtësisë kanë favorizuar të pandehurin Gentian Doda, i cili ishte dënuar në vitin 2012 me 20 vjet heqje lirie. Doda kishte marrë një ulje dënimi nga Gjykata e Matit dhe më pas trupa gjykuese e Apelit të Tiranës, pjesë e të cilës ishte edhe gjykatësi Miri, la në fuqi dënimin e ri me 8 vjet burg ndaj tij. Pas daljes nga burgu, Gentian Doda është arratisur.
Në rast se gjendet fajtor ish-gjyqtari Miri rrezikon dënimin nga 3 deri në 10 vjet burg. Shkëlqim Miri, 46 vjeç ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, e cila starton në vitin 1999. Ai më parë kë qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
ma.me