Çdo qytetar i cili do të refuzojë të japë përgjigje apo informacion të saktë për censusin e ri të vitit 2020, do të rrezikojë të gjobitet deri në 100 mijë lekë të reja. Ky përcaktim ligjor është përfshirë në projektligjin e qeverisë, i cili është dërguar për konsultim.
“Të gjithë personat e rritur, me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit po jetojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë janë të detyruar të japin informacionin; a) në mënyrë të plotë; b)në mënyrë të saktë dhe të besueshme;”, thekson projektligji. Gjithashtu, në nenin 16 të projektligjit specifikohet se qytetarët do të ndëshkohen dhe për rastet kur tregohen neglizhentë në dhënien e përgjigjeve gjatë intervistës së censusit.
“Neglizhimi ose refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar, sipas nenit 4 ose dhënia e informacionit të rremë, dënohet me gjobë prej 100 000 (njëqind mijë) lekësh, me përjashtim të rasteve kur informacioni jepet për pyetjet mbi bazën e vullnetit të individit”, thuhet në projektligj. Po ashtu masat administrative do të merren dhe ndaj zyrtarëve dhe apo institucioneve që nuk garantojnë konfidencialitetin e përgjigjeve apo të dhënave të censusit.
“Mosrespektimi i rregullave të konfidencialitetit, të përcaktuara në nenin 8 të ligjit, nga personi/personat përgjegjës dënohet me një gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë”, thekson nisma ligjore. Po ashtu gjoba do të ketë dhe për organizatat e tjera, të cilat zhvillojnë pyetësorë apo anketa në të njëjtën kohë kur do të zhvillohet censusi.
“Gjatë një periudhe kohore prej 6 javësh para ditës së censusit dhe gjatë periudhës së mbledhjes së të dhënave të censusit është e ndaluar, për të gjithë individët dhe organizatat, të mbledhin të dhëna nga publiku brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në nenin 15 të këtij ligji nga personi/personat përgjegjës dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë”, thekson projektligji.
ANKIMIMET
INSTAT-i do të ketë të drejtë të vendosë gjoba për rastet kur konstatohen refuzim dhënieje informacioni apo shkelje të konfidencialitetit. Por në projektligj është parashikuar të ngrihet një komision qendror i censusit, i cili do të shqyrtojë ankimimet e qytetarëve, organizatave apo institucioneve.
“Ankimi ndaj një vendimi të INSTAT-it për vendosjen e një gjobe, sipas përcaktimeve të pikës 1, shkronjat ‘a’ dhe ‘c’ të nenit 16 të këtij ligji, paraqitet në komisionin qendror të censusit brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së këtij vendimi. Kundër vendimit që ka marrë komisioni qendror i censusit, sipas pikës 1 të këtij neni, mund të paraqitet ankim në gjykatë brenda 45 ditëve nga data e shpalljes së këtij vendimi”, thekson nisma e qeverisë.
ma.me