Vala e mërgimtarëve që është karakteristike gjatë verës i mbushi pikat e Exchange me paratë e huaja. Edhe tregtarët i fërkojnë duart nga rritja e konsumit që e shkaktojnë mërgimtarët që gjatë verës vijnë në vendlindje për t’i vizituar familjet.
Blihen mobilie të reja, bëhen rinovime dhe shpenzohen për nevojat e përditshme. Por, përveç se gjatë verës, paratë që i dërgojnë mërgimtarët te shumë familje në Maqedoni janë të ardhura kryesore për jetë gjatë gjithë vitit, raporton “Alsat”.
Jozyrtarisht të dhënat tregojnë se mërgimtarët në Maqedoni në vit dërgojnë nga 800 milionë e deri në 1.5 miliardë euro, përcjell albinfo.ch.
Këto para shpenzohen për pagesa të llogarive dhe nevojat e përditshme të familjeve të tyre, vetëm një pjesë e vogël e tyre janë investime.
Ministri i Diasporës, Edmond Ademi për “Alsat M” thotë se paratë nga diaspora janë të rëndësishme për ekonominë në Maqedoni. Sipas llogarive të tij kjo shumë vitin e kaluar ka arritur në mbi 800 milionë euro.
Këtu hyjnë paratë që janë dërguar në bazë të transferimeve të shpejta të parave që vitin e kaluar kanë qenë 400 milionë euro, si dhe paratë e gatshme që i sjellin mërgimtarët kur vijnë në shtëpi, ndërsa regjistrohen përmes punës së këmbimoreve e që vlerësohen në mbi 400 milionë euro. Kjo shumë sipas tij mund të jetë edhe më e madhe.
Por, përveç se dërgojnë para për familjet e tyre, si hap të ardhshëm për bashkëpunim më të madh me diasporën, ministri Ademi e theksoi strategjinë e re që për herë të parë është bërë në Maqedoni dhe që është në fazën finale.
“Do të përpiqemi përmes bashkëpunimit të përbashkët me ekspertë të huaj që do të vinin këtu për të punuar me ne të gjejmë model ideal që të mund të formojmë një fond mjetet e të cilit më pas do të shfrytëzoheshin për projekte të vogla në infrastrukturë në qytete dhe vendbanime rurale në Maqedoni.
Në njëfarë mënyre mërgimtarët edhe ashtu kur vijnë këtu japin fonde për ndërtimin e shkollave, ambulancave, rrugëve etj. Në këtë mënyrë do u mundësojmë kjo të dallohet dhe të dihet se ato janë investime nga mërgimtarët tanë”, deklaroi Edmond Ademi.
Ademi pret deri në fund të gushtit të miratohet kjo strategji dhe çdo ministri që do ketë kompetenca të fillojë me punë dhe t’i realizojnë obligimet e tyre.