Zelanda e Re akuzon Australinë për përvetësim të flamurit të saj. Kryeministri në detyrë i Zelandës së Re, Uinston Peters, i ka kërkuar Australisë që të ndryshojë flamurin që i ka kopjuar vendit të tij. Peters këmbënguli se flamuri fillimisht është përdorur nga Zelanda e Re dhe i është dhënë hua Australisë për një kohë, e cila tashmë ka përfunduar.
Flamujt e çdo vendi kanë shumë vlerë simbolike, duke transmetuar domethënien e historisë dhe vlerat e tij. Qytetarët e njohin pikërisht nga ngjyrat dhe simbolet e për këtë arsye mund të ketë dhe beteja në fushën e grafikës.
Pikërisht kjo po ndodh këto ditë mes Zelandës së Re dhe Australisë.Kryeministri në detyrë i Zelandës së Re, Uinston Peters, ka akuzuar Australinë se ka kopjuar flamurin kombëtar dhe i ka kërkuar që ta ndryshojë.
Peters i cili drejton qeverinë gjatë mungesës së kryeministres Ardern, e cila sapo ka sjellë në jetë fëmijën e saj, duket i vendosur që t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.
Në një intervistë të fundit, ai u shpreh se Australia ka kopjuar prej kohësh flamurin e Zelandës së Re, dhe duhet ta ndryshojë duke pranuar se Zelanda e re e ka pasur e para atë flamur. Qëndrimi i kryeminsitrit mbështetet nga 62 për qind e popullsisë.
Por Peters e ka bërë dhe më parë këtë kërkesë në 2016-n duke i kujtuar Australisë se ia kishte marrë borxh flamurin vendit të tij e tashmë duhet ta ndryshonte.Flamujt janë shumë të ngjashëm, të dy me “Union Jack” në këndin e majtë dhe një kryq të Jugut në sfondin blu. Zelanda e Re ka qenë e para që e ka përdorur në vitin 1902, 50 vjet më parë se Australia, përgatiti Koha. (b.an)