Një plantacion i mbjellë me 135 bimë marijuanë, u sekuestrua nga policia e San Tammaro, në Casertano, të Italisë.
Zbulimi u bë natën mes të martës dhe të mërkurës, në një zonë të mënjanuar, pranë një banese më të cilën jetonin dy shqiptarë Z.M., 25 vjeç dhe L.S., 28 vjeç.
Nga hetimet e kryera rezultoi se shqiptarët ishin pa leje qëndrimi si dhe kishin një sërë precedentësh penalë.
Ata u arrestuan në kushtet e flagrancës, nën akuzën e kultivimit të lëndës narkotike indiane.
Marijuana e sekuestruar e gjatë rreth një metër e gjysmë, ishte gati për tu mbledhur dhe me vlerë tregu, mendohej se do siguronte rreth 250 mijë euro.
Plantacioni ishte mbjellë në një zonë të thellë të rrethuar nga shkurre, pemë dhe shkëmbinj.
Ndërkohë që në banesë u gjet edhe një pushkë dhe një pistoletë e modifikuar, si dhe lëndë narkotike gati për shitje.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim për të zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë. /b.d