Dënimi i Skënderbeut nga UEFA vazhdon të shkaktojë bujë në mediat ndërkombëtare, të cilat janë interesuar të shohin këndvështrimin shqiptar mbi përjashtimin e klubit korçar nga arena ndërkombëtare. “AFP” dhe së fundmi “Euronews”, i kanë kushtuar vëmendje kësaj teme dhe kanë intervistuar disa prej protagonistëve të çështjes.
Presidenti i korçarëve, Ardian Takaj e ka cilësuar këtë si një “dënim me vdekje”, ndërsa ka argumentuar se UEFA ka përdorur klubin e tij për të promovuar sistemin BFDS nëpërmjet të cilit u dha dënimi, në kurriz të “një shteti të vogël, një klubi të vogël, me një buxhet të vogël”.
“Nuk mendoj se UEFA do të guxonte të merrte këtë masë ndëshkimore ndaj një ekipi perëndimor duke u bazuar vetëm te dyshimet e lindura nga lëvizjet e koeficienteve”, shton ai, ndërsa thekson se në raportin e UEFA-s nuk ka “1% hetim, asnjë shumë të saktë, asnjë emër”.
Për Orges Shehin, tashmë trajner i korçarëve, përfshirja e tij në këtë çështje është shumë shqetësuese. Ai e cilëson raportin “të bazuar jo mbi fakte, por mbi zëra”. “Futbolli nuk është një shkencë ekzakte, ne shohim çdo ditë gabime të mëdha”, ishin fjalët e ish-portierit.
Ndërkohë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë versionin e tij të ngjarjeve, duke mos i cilësuar trukimet si fenomen vetëm shqiptar. “Një organizim më i mirë i klubeve është i domosdoshëm. Trukimi i ndeshjeve është kanceri i futbollit”, thekson ai, duke e cilësuar “botëror” fenomenin ndërsa ka siguruar se FSHF po bënte punën e saj pasi kishte kërkuar në qershor hapjen e hetimeve.