Presidenti Donald Trump, i irrituar nga kritikat e fundit, po shqyrton mundësinë që t’u heqë certifikatat për informacionin e klasifikuar disa ish-drejtuesve të shërbimeve të zbulimit dhe agjencive të rendit. Njoftimi ka shkaktuar reagime të forta politike.
Në grupin e ish-zyrtarëve të kërcënuar është ish-shefi i CIA-s, John Brennan, i cili, siç njoftohet ka irrituar pa masë Presidentin Trump me postimet e tij në Twitter kur u shpreh se reagimi i presidentit ndaj Putinit gjatë takimit në Helsinki “arrin dhe e tejkalon nivelin e krimeve të rënda” dhe “nuk i lë gjë mangut tradhtisë”.
Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti po analizon mekanizma të tilla kundër këtyre individëve pasi këta ish-zyrtarë e kanë politizuar dhe në disa raste po e marketojnë rolin e tyre në shërbimin publik në të kaluarën:
Adam Schiff, Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin
“Këtu po flitet për t’u hequr certifikatën për informacion të klasifikuar personave që kanë shërbyer për dekada në ushtri, ose në shërbimet e zbulimit, në shërbim të atdheut, thjesht sepse presidentit nuk i pëlqejnë komentet që kanë bërë ata. Mos e vini në dyshim, ky është i vetmi shkak; është veprim prej frikacaku nga një njeri që u trembet kritikave. Ne duhet t’i bëjmë qëndresë kësaj prirjeje. Ne në Kongres, demokratë e republikanë, por sidomos republikanët, duhet të zgjohen dhe të ngrenë zërin në emër të demokracisë,” tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff.
Një zëdhënëse e ish-Zëvendës Drejtorit të FBI-së, Andrew McCabe hodhi thumba duke thënë se Shtëpia e Bardhë siç duket nuk e ka kuptuar se zotit McCabe ia kanë hequr certifikatën për informacion të klasifikuar që disa muaj më parë, përgatiti Tema. (b.an)