Agjenti i Mesut Ozilit, Erkut Sogut, ka reaguar ndaj komenteve të presidentit të Bayern Munichut, Uli Hoeness, pas vendimit të yllit të Arsenalit për t’u pensionuar nga Kombëtarja e Gjermanisë.
29-vjeçari u dorëhoq nga ekipi kombëtar gjerman duke thënë se është përballur me racizëm, mungesë respekti dhe keqtrajtim nga Federata e Futbollit e Gjermanisë, gjatë dhe pas Kupës së Botës 2018 në Rusi, transmeton Gazeta Express.
Ozil tha se “unë jam gjerman kur fitojmë, por jam emigrant kur humbim” dhe më pas deklaroi se nuk është më i gatshëm ta marrë mbi supe fajin për formën e dobët të ekipit kombëtar dhe punën e dobët të drejtuesve të futbollit gjerman, duke e akuzuar presidentin e DFB-së, Reinhard Grindel, në veçanti.
Presidenti i Bayern Munichut Hoeness tha pas deklaratave të Ozilit se futbollisti me orgjinë turke ka e ka “dhj*** fare” duke luajtur dobët për Gjermaninë në kohët e fundit. Ndaj komenteve të tij ka reaguar menjëherë agjenti i Ozilit, Sogut.
“Zoti Hoeness, ne nuk do të humbasim më shumë kohë apo energji duke folur për një temë rreth të cilës ti natyrisht nuk di asgjë. Jo vetëm që jeni turpi i vetvetes, por më e rëndësishmja jeni turpi i Bayern Munichut dhe popullit gjerman”, ka thënë Sogut, përgatiti ”Gazeta Express”. (b.an)