Kontratat e para të programit një miliardë euro kanë ngritur shqetësimin se ndërtimi i rrugëve me koncesion sjell kosto të larta për qytetarët. Por qeveria ka një tjetër vlerësim.
“Keni parasysh se të gjitha këto kontrata janë të matshme. Kjo do të thotë se çdo lloj volumi atje është i certifikuar dhe çmimet janë bazuar në referencat dhe manualet që ka qeveria shqiptare në fuqi”, deklaroi ministri Gjiknuri.
Deri tani qeveria ka miratuar koncesionet për dy vepra të mëdha, Rrugën e Arbrit me vlerë 240 milionë euro dhe autostradën Thumanë-Kashar. Ky segment ka një gjatësi vetëm 20.8 kilometër, por duke përfshirë mirëmbajtjen e rrugës për 13 vjet dhe interesat që do i paguhen privatit, fatura e Thumanë-Kashar mund të arrijë deri në 337.5 milionë euro. Në këtë pikë, pyetja që shtrohet është pse shteti nuk i ndërton vetë këto rrugë?
“Projektet madhore kanë shkuar gati dyfishi i kostove të parashikuara më përpara, ndaj nuk ia vlen të marrim këtë risk”, u shpreh ministri i transporteve.
Sipas Gjiknurit, partneriteti publik-privat i mundëson qeverisë të ndërtojë rrugët duke i paguar më këste, por njëkohësisht e mbron atë nga risqet.
“Riskun e merr totalisht privati. Ka një tavan të shpenzimeve të fiksuara dhe çdo risk i ngarkohet privatit, ndërsa vepra dorëzohet në kohë. Mekanizmat e sigurimit të kontratës që ne kemi bërë, janë shumë më të forta sesa në tenderimet publike. Kompanitë private do të sigurojnë financimin dhe do të garantojnë performancë të kontratës, me vlera financiare të bllokuara në bankë, që do të thotë se nga çdo lloj vonese, shteti nuk ka asnjë humbje”, u shpreh Gjiknuri.
Në total qeveria ka parashikuar të ndërtojë 6 rrugë të mëdha me koncesion, fatura e të cilave mund të arrijë mbi një miliardë euro. /TCH/b.d