Nga Mero Baze
Presidentja e Kroacisë Kolinda Kitaroviç, ka shkaktuar debat mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, pasi ka falenderuar shqiptarët që i janë gjendur pranë Kroacisë në ditë të vështira. Reagimet në të vërtetë, më shumë se sa kundër presidentes kroate, dëshmojnë diferencën reale që ekziston mes shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, të cilët edhe pse me fjalë kanë dëshirë të thonë jemi një komb, në terma konkrete kërkojnë secili identitetin e vet.
Deklarata e Kolindës nuk ka asnjë gabim. Ajo në fakt u falenderohet shqiptarëve, dhe jo vetëm shqiptarëve që ishin pjesë e armatës jugosllave dhe kaluan në anën e Kroacisë, por dhe shtetit shqiptar, që ishte i pari që njohu Kroacinë, dhe ishte në anën e tij në disa nga etapat e luftës kundër makinerisë ushtarake serbe.
Shqipëria ofroi aeroportin e saj ushtarak të Gjadrit në ndihmë të Bosnjës dhe Kroacisë, dhe ka mbështetur operacionin për çlirimin e Dubrovnikut në vitin 1995, duke e përshëndetur atë dhe zyrtarisht.
Kjo ishte një ndihmë shumë më e rëndësishme se sa lufta e disa ushtarakëve të Kosovës, të cilët nuk është se shkuan vullnetarë për të çliruar Kroacinë, por ishin pjesë e ushtrisë jugosllave.
Por pavarësisht kësaj, reagimi dhe përpjekja për të demantuar presidenten Kitaroviç, sikur ka bërë një lapsus që ka thënë “shqiptarët” dhe nuk ka theksuar “kosovarët”, është një reagim i nxituar i të njëjtit grup njerëzish që vdesin të flasin për bashkim kombëtar apo për identitet të përbashkët kombëtar.
Më së paku tregon se shumë prej nesh janë hipokritë kur flasin për bashkim dhe për një identitet kombëtar dhe meskinë kur dikush duhet të shpërndajë meritat e nuk i ndan shqiptarët nga kosovarët.
Presidentja kroate nuk i ndau se e kishte për të gjithë shqiptarët. Por do të ishte akoma më e bukur, ta kishte për shqiptarët e Kosovës dhe të thoshte “shqiptarët”. Kjo do të ishte deklarata më patriotike që një presidente ballkanase do të bënte për shqiptarët dhe që çuditërisht, po sulmohet “nga patriotët shqiptarë”.
E vërteta është se kur tha “shqiptarët”, kishte parasysh Shqipërinë dhe shqiptarët në viset e tjera të ish- Jugosllavisë, por tërbimi i shumë shqiptarëve që ajo nuk theksoi se e ka për shqiptarët e Kosovës, është një nga barometrat kryesorë që provon sa sinqerisht e kanë bashkimin ata që të nxjerrin sytë, kur u thua “kosovarë”. Desh e mbytën gruan e botës pse nuk u tha “kosovarë”, por “shqiptarë”.