Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj prit sot në takim homologun e Kosovës, Bejtush Gashi.
Dy ministrat nënshkruan një protokoll bashkëpunimi për sezonin turistik veror.
Protokolli ka qëllim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta në fushën e kontrollit kufitar.
Ai do të kryhet sipas drejtimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve, ku punonjësi i policisë shqiptare kryen regjistrimin në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësi i policisë kosovare kryen regjistrimin në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.
Procedurat e përbashkëta mund të ndryshojnë ndërmjet negociatave dhe me miratim të ndërsjellë. Gjatë zbatimit të këtyre procedurave të kontrollit të përbashkët, do të mbahet lista e përpunimit të automjeteve me procedurë të lehtësuar.
Në fjalën e mbajtur pas takimit Xhafaj shprehu besimin se mes dy ministrive dhe policive, do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim më intensiv në interes të popujve, në interes të të gjithë shqiptarëve, sigurisë së vendeve tona, të rendit, qetësisë që iu ofrohet njerëzve tanë, në dy anët e kufirit.
“Ministri i Republikës së Kosovës trajtoi me shumë të drejtë një shqetësim që ka të bëjë lidhur me sigurinë rrugore të shtetasve kosovarë gjatë sezonit veror dhe posaçërisht lidhur me patentat, me mënyrën se si trajtohen rastet e menaxhimit të këtyre patentave kur krijohen probleme për shkak të mosrespektimit të rregullave. Duhet një procedurë e gjatë për t’i kthyer ose për t’ua ridhënë në përdorim patent-mbajtësve përmes një burokracie shumë të gjatë, që kemi aktualisht”, u shpreh Xhafaj.
Ministri tha se shpreson që në seancën e fundit të Parlamentit, që është ditën e hënë, të mund të miratohet një amendament i propozuar nga deputeti Pjerin Ndreu, që sipas Xhafajt do të ishte një kontribut shumë i çmuar në këtë aspekt dhe një lehtësi për të gjithë ata që përdorin rrugët kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Nga ana e tij ministri Gashi, tha se bashkëpunimi mes dy ministrive dhe përkatësisht agjencive do të intensifikohet me rezultate konkrete./a.m.