Ministri i Mjedisit Blendi Klosi ishte në Bulqizë ku gjatë takimit me banorët premtoi angazhimin për anulimin e konçesionit për shfrytëzimin e pyjeve në zonë.
“Si ministër do të bëjë të gjithë procedurat ligjore që kontrata të pezullohet”, ka qenë premtimi i ministrit të Mjedisit Blendi Klosi në takimin me banorët e Bulqizës.
Prej disa kohësh ata protestojnë duke kërkuar anulimin e koncesionit për shfrytëzimin e masivit pyjor shekullor në Bulqizë.
“Ajo që duam të themi është se ne, unë si ministër, paçka se duhet të them se pylli është në pronësi të pushtetit lokal, tashmë kontratën duhet ta implementojë kryetari i bashkisë, unë do kërkoj në bazë të inspektimit që ka bërë Inspektorati i Mjedisit të kërkojmë pezullim të kontratës. Ju falënderoj se keni bërë një mision shumë të madh, atë të mbrojtjes”, tha Klosi mes banorëve që brohoritën deklaratën e tij.
Klosi shtoi më tej se Rruga e Arbrit do prodhojë mirëqenie. “Një monument (për protestën)se si vendi mbron pasuritë natyrore dhe ne duam shumë ta promovojmë në gjithë Shqipërinë, duam shumë të godasim çdo fenomen negativ që kemi nga trashëgimia e kaluar”, vijoi ai./a.m.