Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, sëbashku me drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor Arben Isaraj ishin sot në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor për të parë nga afër investimet e kryera në këtë drejtori, me qëllim ofrimin e një shërbimi më të mirë dhe lehtësimin e tij për qytetarët nëpërmjet komunikimit dhe teknologjisë. Drejtoria Rajonale Tiranë e cila përballon rreth 40% të shërbimit të qytetarëve në rang Kombëtar ka përfunduar me sukses rikostruksionin e sallës së regjistrimit të mjeteve. Kostoja e këtij investimi shkon rreth 12 milion Lekë, e përballuar tërësisht nga buxheti i DPSHTRR. Ky rikostruksion ka rritur shërbimin në kohë dhe cilësi ndaj qytetarëve duke realizuar: zgjerimin e hapësirës të sallës së regjistrimit të mjeteve; rikonstruksionin e ambientit në ndriçim, kondicionimin dhe logjistikën bashkëkohore; shtim të sporteleve që ofrojnë shërbim ndaj qytetarit në masën 50 %; krijimin për herë të parë të sallës së pritjes me kushte moderne për qytetarët; krijim të sportelit të informacionit për të sqaruar dhe informuar qytetarët; sistemimin e ambienteve të jashtme duke krijuar mundësi parkimi për mjetet që i nënshtrohen kontrollit fizik apo komisionit të ndryshimeve konstruktive duke shmangur kaosin etj.
Drejtori i DPSHTRR Isaraj theksoi se nuk është investuar vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, po investohet në Elbasan dhe në Fier. Sipas Isarajt nëpërmjet këtij investimi kemi një përmirësim të dukshëm në kohë, duke e reduktuar kohën e shërbimit në rreth 20 minuta dhe dyfishimin e numrit të shërbimeve ditore ndaj qytetarëve
“Deri dje është shërbyer në tre ditë, katër ditë, pesë ditë deri një javë. Përfundimisht është zgjidhur dhe një merak që kanë pasur qytetarët, i cili ka qenë krijuar jo për arsye tonën, por për arsye të zgjidhjeve politike të momentit, të cilat kanë krijuar një diferencë 3 mujore në bllokimin e të gjithë llojeve të prokurimeve. Kjo kishte lidhje me atë që themi ne leje drejtimi, patentën. Sot për një muaj kjo drejtori ka prodhuar 40 mijë copë. Ju do ti shikoni edhe vetë lejet e drejtimit dhe çdo gjë që thuhet kuptohet nuk ka lidhje me punën tonë, puna jonë është kjo. Fjalët e mira mund të jenë të shumta, por këtë e tregon puna. Z.ministër unë doja ta vlerësoja bashkëpunimin tuaj, por doja të vlerësoja dhe bashkëpunimin me drejtuesit që kur ka bashkëpunim çdo gjë arrihet në kohë, në rezultat dhe në produkt. Pra të ndryshosh për një periudhë kaq të shkurtër gjendjen këtu, duke e kthyer në një laborator që nuk di se çfarë mund ti mungojë,” u shpreh Isaraj.
Ministri Gjiknuri theksoi se tashmë kemi një shërbim shumë modern, shumë bashkëkohor që e gjejmë në çdo vend europian.
“Mbi të gjitha gjithçka është e hapur, është transparente përfshirë edhe drejtuesit e seksioneve të cilët mbulojnë shërbimet këtu janë të vendosur njësoj me sportelin. Do të thotë që çdo lloj problemi që mund të haset në moment nuk duhet të presësh disa ditë për të bërë një ankesë, por përkundrazi shkohet direkt tek menaxheri, tek eprori direkt në mënyrë që të gjendet zgjidhja. Sistemi është i gjithë i kompjuterizuar, shumë shërbime kanë filluar të jepen online dhe kjo reformë që ka filluar në drejtorinë e përgjithshme të transporteve në zyrat kryesore siç e tha edhe drejtori në Tiranë dhe në disa qarqe të tjera gradualisht do të shtrohet në të gjitha vendin. Kuptohet do të marrë kohën e saj sepse kërkohen investime, kërkohen trajnime, por e rëndësishme është që ne kemi një plan të qartë. Rekrutimi është përmirësuar, trajnimet do të bëhet siç duhet dhe patjetër investimet në sisteme elektronike dhe ambiente do të jenë shumë më të mira në mënyrë që shërbimi të jetë efikas, në kohë dhe mbi të gjitha transparent.
Unë pata mundësinë të kontaktoj me qytetarë shumë hapur për parë e konfirmuar atë çka themi që shërbimi është krejtësisht i përmirësuar. Nuk shohin asnjë problem, janë evituar radhët, janë evituar abuzimet që fillojnë me radhën. Dhe mbi të gjitha zgjidhja që u dha së fundmi dhe me çështjen e patentave një gjë e mbartur është një përgjigje në kohë e një situate të mbartur dhe që filloi të kthehet në një shqetësim për qytetarët. Unë dua ta përgëzoj punën e drejtorisë dhe drejtorit të Tiranës i cili ka bërë një punë shumë të mirë dhe realisht unë e shoh edhe në platformën e bashkëqeverisjes që nuk ka ankesa për shërbimet në Drejtorinë e Transportit Rrugor, do të thotë që qytetarët ndihen të kënaqur me shërbimin. Gjithmonë ka vend për të përmirësuar. Çdo gjë është relative, por e rëndësishme është që ne po bëjmë progresin e duhur muaj për muaj,” sqaroi Gjiknuri.
ma.me