Sot policia shqiptare ka ekstraduar nga Kosova një 35-vjeçar të akuzuar bashkë me një person tjetër se më 30 gusht të vitit 2005 tentoi të vriste Lul Berishën. Sipas policisë të porositur nga E. D. dhe A.C., 35-vjeçari Ahmet Ajeti dhe O.K. kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë ish-kreun e bandës së Durrësit, Lul Berishën, por plani dështoi.
“BalkanWeb” risjell në vëmendje ngjarjen se si ndodhi atentati ndaj Lul Berishës në oborrin e shtëpisë së tij në Durrës por edhe rastet e mëparshme.
Atentatorët e tij nuk arritën ta çojnë deri në fund planin e përgatitur qysh më parë për ekzekutimin e Berishës. Ata kanë qëlluar vetëm me njërën nga armët kundërtanke, ndërsa kundërtanku i dytë u gjet me predhë në gojë, pa arritur të përdorej prej tyre pasi ishte i dëmtuar. Një nga biznesmenët më të njohur të qytetit të Durrësit, Lulëzim Berisha, i shpëtoi vdekjes vetëm për shkak të mungesës së profesionalizmit të atentatorëve, të cilët nuk kanë ditur të përdornin armët e frikshme që patën në dispozicion, shkruante atë kohë “Gazeta Shqiptare”.
Autorët e këtij atentati e kishin përgatitur gjithçka qysh më parë, por nuk kanë mundur ta zbatojnë pikë për pikë planin e tyre. Banorët e lagjes ku ndodhet vila luksoze e Lul Berishës janë përfshirë nga paniku e tmerri pas shpërthimit të zhurmshëm të kundërtankut. Ndërsa disa prej familjeve që banojnë në pallatin pas vilës së Berishës janë detyruar të zëvendësojnë xhamat e thyer dhe të meremetojnë vetratat e dritareve të dëmtuara nga fuqia e shpërthimit.
Atentati
Rreth orës 21:20, në mbrëmjen e së dielës, 37-vjeçari, Lul Berisha ka qenë duke hyrë në oborrin e vilës së tij në lagjen nr.17, të Durrësit, ku banonte me gruan, dy fëmijët dhe motrën. Ai udhëtonte me një autoveturë tip “Benz”, e blinduar me ngjyrë të errët. Berisha ka ndaluar një moment para derës së blinduar të vilës, që hapet me telekomandë. Sapo dera është hapur “Benzi” i blinduar i Berishës është futur në oborr, por papritmas një shpërthim i fuqishëm ka çarë terrin e natës. Një predhë kundërtanke është lëshuar pas tij nga një distancë afro 100 metra, duke shpërthyer brenda oborrit të vilës. Si rezultat i shpërthimit është plagosur kunati i Berishës, Plarent Dervishi 33-vjeç, ndërsa objektivi i sulmit ka shpëtuar pa pësuar asnjë dëmtim, pasi nuk kishte dalë ende nga vetura e blinduar. Autorët e këtij sulmi nuk kanë arritur të realizojnë goditjen e dytë, madje në ikje e sipër kanë lënë dhe dy armët kundërtanke në vendngjarje. Për momentin Berisha është përpjekur t’i shpëtojë një goditje të dytë dhe pasi është siguruar se nuk ka problem, ka nxituar të çojë drejt spitalit kunatin e tij, për të marë ndihmën e parë mjekësorë.
Vila ku ndodhi ngjarja përshkruhet si një banesë e blinduar. Një vilë katërkatëshe, me një arkitekturë bashkëkohore dhe moderne, me një sistem sigurie të sofistikuar, një rrjet i tërë kamerash vëzhgimi që kontrollojnë gjithçka rrotull saj. Muri rrethues, afro tre metra i lartë, është i siguruar me një sistem të sofistikuar alarmi, që lajmëron çdo tentativë për t’iu afruar vilës.
E arrestuan në Rimini për t’i shpëtuar jetën
Italianët në maj 2000 e ndaluan Berishën para se të ekzekutohej nga rivalët.
Lulëzim Berisha i ka shpëtuar në momentin e fundit një atentati tjetër në vitin 2000 të përgatitur me kujdes nga kundërshtarët e tij. Ngjarja ka qenë e planifikuar për të ndodhur në anën tjetër të detit, në Itali. U desh ndërhyrja e policisë italiane në kohën e duhur që u shmang realizim i këtij atentati. Sipas medias italiane në atë kohë, thuhet se “Shënjestra” e atentatorëve u ndalua në një restorant ku ai ndodhej në shoqërinë e një vajze ruse. Shërbimet inteligjente dhe strukturat e specializuara policore të shtetit fqinj i kishin mbajtur të dy klanet kundërshtare në survejim për një kohë të gjatë. Pikërisht në saj të këtij survejimi u bë e mundur që skuadrat mobile të policisë italiane të ndërhynin në kohë për të mos lejuar ekzekutimin e Berishës.
Mediat italiane i kushtuan një vend të rëndësishëm arrestimit të një shtetësi shqiptar të quajtur Lulëzim Berisha nga skuadrat mobile në Rimini. Ai u ndalua mbrëmjen e të hënës së 21 majit 2000, në një restorant përgjatë bregut të Riciones në Rimini, pas një hetimi që zgjati më shumë se 8 muaj nga Skuadra Mobile e Ravenës në bashkëpunim me DDA e Barit. Berisha ishte vënë prej kohësh në shënjestër të rivalëve të tij në Ravena dhe të dhënat e fundit tregonin se ai ndodhej në Rimini. Policia italiane deklaroi se arrestimi në kohën e duhur evitoi realizimin e një atentati kundër tij që po organizohej nga një klan rival. Mediat italiane shkruanin se “Klani i interesuar për eleminimin e Berishës ishte një tjetër familje e njohur shqiptare, që kishte një rol të rëndësishëm në botën e krimit jo vetëm në Shqipëri por dhe në tregun evropian”. Mediat italiane pretendonin se nga rivaliteti midis dy klaneve ka patur shumë viktima, sidomos në radhët e kundërshtarëve të Berishës. Por nuk jepeshin shifra apo emra viktimash të vrarë.
Atentati
Në 19 shkurt të vitit 2000 u arrestua në Ravena një shtetas shqiptar i quajtur Erion Hoxha, i kërkuar nga prokuroria e antimafies së Barit për trafik droge. Policia italiane pretendonte se “kishte motive bindëse që ai (Hoxha) ndodhej në Ravena pikërisht për të organizuar vrasjen e Berishës”. Të hënën e 21 majit agjentët e policisë kishin individualizuar një autoveturë të tipit BMV, që dihej se ishte në dispozicion të Berishës, e parkuar para një lokali të njohur dhe luksoz në Ricione. Agjentët e policisë hynë brenda dhe u ulën në një tavolinë për të porositur darkën. Kur Berisha dhe vajza ruse që e shoqëronte ishin duke porositur pjatën dytë, ata ndërhynë menjëherë duke i ndaluar. Berisha u tregua i qetë duke nxjerrë dokumentat e identifikimit me gjeneralitete të rreme. Ai ishte i sigurt se do t’ia hidhte siç kishte bërë edhe herë të tjera, por agjentët nga Ravena kishin shtënë në duar një element më shumë, të cilin ai nuk e dinte, foton e tij.
Fotografia
Fotografia e Berishës ishte marrë nga një dokument identiteti slloven i gjetur në një apartament në qendrën historike të Ravenës, gjatë një kontrolli të ushtruar më 21 mars 2000. Në këtë apartament jetonte një vajzë shqiptare, prostitutë e cila e kishte ndihmuar atë disa herë t’i shpëtontë policisë.
E kaluara
Lul Berisha u lirua nga gjykata Italiane pasi nuk u provua fajësia e tij në lidhje me disa akuza që i bëheshin nga prokuroria e shtetit fqinj. Policia e Durrësit njoftoi se Berisha është dënuar më parë për krime kundër personit.
Berisha dhe dy të tjerë u plagosën në një atentat në maj 2005.
Një djalosh i ri, që sapo ka zbritur nga një autoveturë me ngjyrë të errët, është drejtuar në trotuarin e djathtë të rrugës “Skënderbej” të qytetit të Durrësit dhe ka qëlluar me pistoletë drejt tre personave që ndodheshin pranë Piceri “C’ERA UNA VOLTA”, duke i lënë të plagosur. Njëri prej viktimave ka qenë biznesmeni i njohur durrsak me origjinë kosovare, Lulëzim Berisha, i cili për fat të mirë është goditur vetëm në krah.
Dy personat e tjerë që e shoqëronin kanë qenë Isuf Morina, kushëri i Berishës dhe Kujtim Haxhiaj, i njohur i tij. Ngjarja ka ndodhur paraditen e 5 majit 2005, rreth orës 10.30 në një nga rrugët kryesore të qytetit të Durrësit. Atentatori është larguar me vrap në drejtim të vendit ku e priste autovetura me ngjyrë të errët, e cila më pas është larguar me shpejtësi në drejtim të Portit Detar. Ndërsa tre të plagosurit janë transportuar me mjete të rastit në drejtim të Urgjencës së Spitalit të Durrësit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.
Sipas burimeve të policisë atë kohë që u referohen dëshmitarëve okularë, thuhet se atentatori ka shkëmbyer disa fjalë me Berishën dhe menjëherë ka nxjerrë një pistoletë duke qëlluar drejt tij dhe dy personave të tjerë që e shoqëronin. Pasi ka qëlluar të gjithë karikatorin e pistoletës, atentatori është larguar me vrap drejt autoveturës që e priste aty pranë dhe ka marrë drejtimin për nga porti i qytetit. Kalimtarë të rastit kanë marrë menjëherë tre të plagosurit dhe i kanë çuar në Urgjencën e Spitalit të Durrësit brënda pak minutash. BW
ma.me