Në mbledhjen e fundit Qeveria miratoi Vendimin “Për regjistrimin e Banesave të ndërtuara para vitit 1991”. Drejtori i ALUIZN-it Artan Lame u shpreh në një deklarim për mediat se vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave, shërben si bazë ligjore për dhënien e dokumentit të pronësisë pronarëve të objekteve të ndërtuara para vitit 1991, në të gjitha ato raste kur ky dokument mungon.
“Pra, qëllimi i këtij vendimi është të formalizojë një kategori pasurish të paluajtshme, të cilat edhe pse fizikisht ekzistojnë dhe zotërohen prej dekadash (herë-herë edhe prej shekujsh), pronarët e tyre nuk kanë patur dokumentacion të mirëfilltë pronësie, duke mos i gëzuar asnjëherë ligjërisht.
Mjafton të kujtoj këtu absurdin që, edhe qytete si Gjirokastra, Shkodra, Berati, Elbasani apo Korça, i kanë ende të papajisur me dokumente pronësie shumicën e pronarëve të banesave në lagjet mesjetare të tyre”, u shpreh Lame.
Situata
Për herë të parë, shteti shqiptar filloi procesin e regjistrimit të banesave në vitin 1995. Kjo u bë asokohe me VKM 432 dt. 14.08.1995 “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zonën urbane të fshatit”.
Ky vendim është aplikuar në atë kohë në masë minimale në disa zona rurale dhe, sikurse kuptohet nga vetë titulli, nuk e trajtonte problemin për të gjithë territorin e vendit, por ofronte një zgjidhje të pjesshme vetëm për fshatrat.
“Më pas, është vijuar me VKM 608 datë 05.09.2012, i cili gjithashtu nuk e ka realizuar dot qëllimin e tij gjatë këtyre gjashtë viteve. Arsyet e dështimit të këtyre dy vendimeve të kaluara, lidhen së pari me mungesën e kapaciteteve njerëzore, por në shumë raste edhe të vullnetit, apo neglizhencën e njësive të qeverisjes vendore, të cilat kanë qenë organet e ngarkuara me kryerjen e këtyre procedurave.
Së dyti, për sa i përket VKM nr. 608/2012, shkaqet lidhen edhe me burokratizimin e tepruar të procedurës dhe mbi të gjitha me qasjen jorealiste ndaj problemit”, u shpreh Lame.
Risitë kryesore të vendimit të miratuar së fundmi
1. Lehtësimi i barrës së aplikuesit, nga detyrimet dhe dokumentacioni i tepërt, (aplikuesi tanimë do të duhet të paraqesë vetëm kërkesën pranë ALUIZNI-t);
2. Zgjidhja e të gjithë pamundësisë së deritanishme, për të provuar periudhën e ndërtimit (para datës 10.8.1991), gjë që ka penguar finalizimin e procedurës;
3. Kalimi i pronësisë së truallit të ndërtesës falas deri në 300 metra katrore, si dhe mundësia për të blerë sipërfaqet mbi këtë masë.
“Numri i ndërtimeve që mendohet të trajtohen nga ky vendim është 40-60 mijë. Duhet theksuar se asnjëherë nuk është bërë një evidentim i plotë dhe i saktë i këtyre objekteve dhe si rrjedhim shifra reale mund të jetë edhe më e lartë se ajo e mësipërme.
Këta dy muaj do të na shërbejnë për të organizuar stafet tona dhe për të krijuar pranë secilës drejtorie rajonale të ALUIZNI-t nga një sektor që do të merret eskiluzivisht me ndjekjen dhe zbatimin e kësaj VKM-je. Gjithashtu do të përzgjedhim edhe stafet rajonale që do të merren me mbarëvajtjen e këtij procesi:, deklaroi Lame.
Po çfarë duhet të bëjnë qytetarët nga ana e tyre?
Duke filluar nga shtatori të gjithë qytetarët e interesuar për regjistrimin e banesave të tyre të ndërtuara përpara vitit 1991, do të mund të paraqiten pranë sporteleve tona për të aplikuar.
Ndërkohë mund të fillojnë nga grumbullimi i dokumentacionit që ata posedojnë, leje ndërtimi të vjetra, akte pronësie, skica genplane, akte shitblerjeje apo posedimi, vendime të vjetra të Këshillave Popullore, apo dokumenta të tjera provuese të cdo lloji dhe kohe.
Hollësi të mëtejshme do të komunikohen më pas.
“Zbatimin e këtij vendimi dhe gjithë procedurën përkatëse, Qeveria ia ngarkoi ALUIZNI-t, qoftë për shkak të rrjetit ekzistues të punonjësve në terren, qoftë për shkak të eksperiences operative dhe teknike të akumuluar nga ana e specialistëve tanë.
Por gjithashtu, këtë funksion të ri ne e shohim edhe si besim të Qeverisë tek rezultatet e deritanishme të arritura prej gjithë këtij kolektivi punonjës.
Zbatimi i këtij vendimi do të krijojë mundësinë e mijëra pronarëve që përmes regjistrimit të pronës së tyre, të mund ta bëjnë atë të qarkullueshme në treg, ta shesin apo ta japin me qera ligjërisht, ta fusin në tregun e pasurive të paluajtshme, apo ta trajtojnë në tregun e kredimarrjes.
E kemi thënë që në fillim të mandatit të kaluar qeverisës se zgjidhja dhe stabilizimi i çështjes së pronësisë është një nga çështjet kyçe për qetësimin e gjithë shoqërise shqiptare dhe zhvillimin e ekonomisë”, nënvizoi Lame.
ma.me/javanews.al