Një grup i akademikëve, politikanëve, personaliteteve publike dhe eprorëve të Kishës Ortodokse serbe ua kanë tërhequr vërejtjen autoriteteve serbe me në krye Aleksandar Vuçiçin që të mos nënshkruajnë marrëveshje për Kosovën, transmeton Koha.net.
“Nënshkrimi i marrëveshjes ligjore detyruese për normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve ose për ndarjen e Kosovës ndërmjet Serbisë e Kosovës do të jetë akti më disfatist në historinë moderne të Serbisë”, thuhet në një shkrim të tyre që e ka publikuar gazeta sot “danas”.
Ata janë deklaruar kundër referendumit të mundshëm për Kosovën duke vlerësuar se nuk ka bazë kushtetuese e ligjore për shpalljen tij.
“Mos e mashtroni më opinionin serb me njëfarë ‘kompromisi’ që do ta arsyetonte përpjekjen tuaj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sidomos mos u përpiqni që, si vezët e qyqes, ta impononi të ashtuquajturin Asociacion të komunave serbe si gjoja fitore. Kjo strukturë pa kompetenca bazike, që do të ekzistonte brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, do të shërbente vetëm si mbulesë për njohje të këtij shteti mafioz dhe veç kësaj pa mundësinë që serbëve të Kosovës t’iu ofrojë mbijetesë.
Po ashtu, mos u përpiqni ta bindni opinionin serb për misionin tuaj paqeruajtës e shpëtimtar për të cilin duhet sakrifikuar Kosovën. Dijeni se paqja në robëri nuk është paqe, më së paku për serbë”, thuhet ndër të tjera në mesazhin që kreut shtetëror të Serbisë i është dërguar nga manastiri në Slancima.
Nënshkruesit e mesazhit kanë ftuar Vuçiqin që “të mos fshihet më dhe që në medie të mos e falsifikojë veprimtarinë e vet lidhur me detyrimet që vetë i ka pranuar, sepse, siç thonë, me “qëndrimin vasal ndaj zyrtarëve të Bashkimit Europian, e ka sjellë Serbinë deri në fazën e fundit të negociatave qëllimi i të cilës është njohja serbe e pavarësisë së Kosovës”.
Në këtë takim është thënë se “Serbia mbrohet në Kosovë dhe serbët nuk duhet të ekzistojnë si popull nëse e lënë dorëzimin e saj”.
Këtë mesazh kërcënimi e kanë nënshkruar, shumë kishtarë serbë si dhe akademikë e personalitete: Smila Avramov, Danilo Basta, Matija Beçkoviq, Slobodan Antoniq, Kosta Çavoshki, Marko Jakshiq, Slobodan Samarxhiq, Slavisha Ristiq, Dejan dhe Jovana Balosheviq, Gjorgje Vukadinoviq, gjenerali Bozhidar Deliq, Aleksandar Gjikiq, Milosh Koviq, Nenad Kojiq, Milo Lompar, Dragisha Miloviq, Dejan Miroviq, Dragan Mlagjenoviq,Çaslav Ociq, Aleksandar Paviq, Branko Pavloviq, Blagoje e Olivera Radiq, Slobodan Reliq, Pegja Ristiq etj,përgatiti Koha. (b.an)