Lionel Messi duhej të ishte ylli i Argjentinës, që duhej ta drejtonte atë të fitonte Kupën e Botës.
Por, edhe pse është kapiteni i ekipit, duket se ai është kthyer në përçarësin e ekipit dhe shumë nga zgjedhjet e formacionit, raportohet se janë imponuar nga ai.
E përditshmja sportive “Clarin”, pasi publikoi problemet që kishte pasur “Pleshti” me Lo Celson dhe Fazion, gjatë pjesëmarrjes në “Rusi 2018”, ka zbuluar një tjetër prapaskenë, për të përforcuar këto pretendime.
Nicolas Burdisso, ish -mbrojtësi i Interit dhe Romës në kampionatin Italian, ka treguar se pas një përplasje me Messin, emri i tij nuk u përfshi më në listën e përfaqësueses.
“Ka qenë ndeshja Argjentinë-Kolumbi, e cila përfundoi 0-0.
Ai u nervozua shumë për një top që nuk ia pasova.
Shkuam të sqarohemi dhe në një moment po afrohej, aq sa mendova se do të përdorte duart, por shokët nuk lanë që sherri të agravonte.
Më pas sqaruam gjithçka, por që nga ai moment unë nuk u grumbullova më në kombëtare, ndonëse luaja në Serinë A, me Romën”, tregoi Burdisso.
Në fakt, prej kohësh ka raportime se te Argjentina grumbullohen dhe luajnë vetëm miqtë e Messit.
Kjo u pa edhe në këtë Botëror, kur në ndeshjen me Nigerinë, trajneri Sampaoli i merrte leje atij, nëse duhej ta fuste në fushë apo jo Agueron.
Rasti më flagrant i përjashtimeve të Argjentinës është ai i Mauro Ikardit, për të cilin thuhet se nuk pëlqehet nga Messi.
Dhe arrogance e tij, deri më tani në fakt e ka ndëshkuar rëndë, atë që konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë në botë.
Edhe këtë radhë ai nuk arriti dot që ta ngrinte Kupën e Botës, gjë që do ta kishte kurorëzuar atë si më të mirin e të gjithave kohërave.
Fakti që ai nuk ka mundur të fitojë asnjë Botëror, bën që ai të mos krahasohet me emra të tillë si Pele apo Maradona, që arriti i vetëm t’i jepte Botërorin, Argjentinës.
a.ç