Pa një avokat në krahun e djathtë, por me një mik përkrah, gjyqtari Artan Zeneli e kapërceu Pallatin e Kongreseve për t’u përballur me procesin e vettingut. Ai ishte i 29-i që i nënshtrohet rivlerësimit për sa kohë, përveçse anëtar në Gjykatën e Lartë, është gjithashtu edhe kandidat për në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
KPK-ja deklaroi se ILDKPKI-ja kishte sjellë raport pozitiv për pasuritë e gjyqtarit, i cili rezulton të mos ketë fshehje pasurish dhe mosjustifikim të tyre. Por, nga hetimi i thelluar rezulton se ka mospërputhje mes deklaratave të vettingut dhe atyre të depozituara pranë ILDKPKI-së.
Në kontratën për blerjen e një vile pranë “Kodrës së Diellit” rezulton se, shumën prej 150 mijë eurosh, Artan Zeneli ia ka kaluar ortakut dhe jo shoqërisë. Por, sipas gjyqtarit, ky transaksion ka ndodhur në mirëbesim, pasi ky shtetas është miku i tij.
Sipas gjyqtarit, për blerjen e vilës që kushton 196 mijë euro, ai kishte paguar si këst të parë 46 mijë euro dhe, derisa i ishte aprovuar kredia, i kishte marrë borxh mikut të tij, e për këtë arsye kjo shumë i është dhënë atij.
KPK-ja gjeti mospërputhje edhe në mënyrën sesi është ndarë në dy apartamente, objekti me sipërfaqe 112 m2, si dhe fakti që gjyqtari nuk ka deklaruar privatizimin e një trualli nga bashkia, për të cilin Artan Zeneli këmbënguli se kishte harruar. Gjyqtari tha se pasuritë e tij ishin të vendosura nga puna si avokat gjatë viteve 1999 deri në 2007-n, kur është rikthyer në Gjyqësor.
Pika tjetër që e vendosi Artan Zenelin në pozitë të vështirë lidhet me përshtatshmërinë e figurës. Sipas KPK-së, DSIK-ja përmend se Artan Zeneli nuk ka raportuar në formular revokimin e vizës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, gjyqtari i lartë tregoi se e ka dorëzuar formularin përpara se t’i revokohej viza.
“Unë kisha dy viza – u shpreh Artan Zeneli. – Një vizë pune dhe një vizë turistike. Kjo e fundit m’u anulua. Për vizën e dytë u informova se më ishte revokuar edhe ajo në qershor të vitit 2018, pra disa kohë pasi kisha plotësuar formularin”.
ma.me
Ore po kete Lao hajdutin, kur do ta qethin keta te vettingut?