Prokuroria e Tiranës, pas fazës së verifikimit ka regjistruar kallëzimin penal në lidhje me falsifikimin e formularit të dekriminalizmit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Që nga data 10 korrik, kur Komisoni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi faktin se Thanza ka një dënim penal të formës së prerë nga Gjykata e Pizës në Itali, të cilin nuk e kishte shënuar në formularin e dekriminalzimit, Prokuroria administroi në rrugë zyrtare formularin e Thanzës nga Presidenca. Gjithashtu janë marrë edhe dokumentet e nevojshme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili pas sinjalizmit të monitoruesve ndërkombëtare konstatoi falsifikimin në fjalë.
Veprimet e radhës së organit të akuzës për çështjen “Thanza” do të jenë dërgimi i një letërporosie autoriteteve italine, ku do të kërkohet vendimi i Gjykatës së Pizës, e cila në vitin 1999 e kishte dënuar gjyqtarin e lartë shqiptar me 40 ditë burg dhe gjobë për akuzën e vjedhjes. Gjithashtu edhe pyetja e vet gjyqtarit Thanza, i cili do të japë shpjegime mbi motivet e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit.
Vetëm pas këtyre veprimeve hetimore, pritet të vendoset nëse gjyqtari Thanza do të merret i pandehur apo jo. Edhe pse përgjegjësia e këtij falsifikimi do të jetë individuale, fakti që Admir Thanza ka kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit në vend, duke qenë i dënuar për vjedhje, ka ngritur një pikëpyetje mjaft të madhe mbi institucionet që kanë verifikuar pastërtinë e figurës së gjyqtarëve.
ma.me