Udhëtarët nga Kosova që vijnë në Shqipëri për pushime kanë bërë që të krijohen radhë të gjatë automjetesh në kufi.
Policia Kufitare e Morinës njofton se po bashkëpunon me anën kosovare, duke aplikuar masa lehtësuese me qëllim shmangien e radhëve të gjatë dhe eliminimin e vonesave për pushuesit.
Rreth 12 mijë shtetas kanë hyrë nga Kosova në drejtim të Shqipërisë me destinacion bregdetin.
“Jemi në pikun e fluksit veror, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ku ka një fluks të jashtëzakonshëm. Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë rreth 12 mijë shtetas. Kryesisht numri më i madh i këtyre shtetasve janë kosovarë, të cilët po udhëtojnë në drejtim të bregdetit shqiptar”, u shpreh në një intervistë Komandanti i Pikës së Kalimit Kufitar në Morinë, Komisar Ermal Haxhi.
Një fluks i tillë nënkupton një shtim të vizitorëve nga Kosova krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse për këtë duhet të presim shifrat zyrtare. Masat e zbatuara për lehtësimin e hyrje-daljeve përfshijnë shtimin e numrit të personelit, janë hapur sportele shtesë, gjithashtu është punuar edhe me procedurë të përshpejtuar për t’u ardhur në ndihmë dhe për të mos krijuar radhë të gjata./Report tv/b.d