Tirana është fokusuar këtë të dielë tek finalja e Botërorit mes Francës dhe Kroacisë. Shumë qytetarë kanë zgjedhur ta ndjekin këtë të dielë ndeshjen nga Sheshi Skënderbej, në “Fan Zone”, ambientin e krijuar enkas për të ndjekur ndeshjet e këtij botërori.
Në Fan Zone ndodhej edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ka dhënë një intervistë për moderatoren e Botërori+, Valbona Mhilli. Veliaj ka thënë se Sheshi Skënderbej i konceptuar si një “odë e madhe”, ia ka arritur tashmë qëllimit.
“Unë jam me Kroacinë, Ajola është me Francën. Ajola është frankofone. Sheshi Skënderbej që duket shumë i madh për ca, tani duket shumë i vogël. E konceptuam si një odë të madhe shqiptare, dhe ashtu është. Kam takuar njerëz nga Guatemala, nga Brazili, se dija që sot në Tiranë kemi 150 nacionalitete. Prej kampionatit shumë të rinj janë regjistruar në palestra sportive. Interesi i një kryetari bashkie s’janë rrugët e ndriçimi por njerëzit. Sheshi do vijojë të jetë një hapësirë e mbushur me aktivitete, do kemi Eleni Foureirën, do kemi Daddy Yankee, do ketë diçka për këdo”, theksoi Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë. /ma.me