Drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane, Dan Coats lëshon alarmin për kërcënimin e sulmeve kibernetike, e pohon se situata është në një pikë kritike, duke paralelizuar sinjalet e rrezikut me ato që i paraprinë 11 Shtatorit.
“Sistemi i alarmit është ndezur dhe infrastruktura dixhitale që i nevojitet vendit tonë është nën sulm”, ka shpjeguar ai.
“Në muajt që i paraprinë 11 Shtatorit, sipas drejtorit të atëhershëm të CIA-s, George Tenet, alarmi ishte i njëjtë. E kur kanë kaluar thuajse dy dekada, rreziku është i të njëjtave përmasa”, thotë shefi i “007”-ave amerikane.
Coats i është referuar më pas Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, që sipas tij vazhdojnë përpjekjet për të dëmtuar demokracinë amerikane, duke i cilësuar rusët, si aktorët e huaj më agresivë prej të gjithëve.
“Janë vende, që çdo ditë ndërhyjnë në infrastrukturën tonë dixhitale dhe kryejnë një seri sulmesh kibernetike kundër objektivave të Shteteve të Bashkuara”, thotë Coats.