Shqipëria renditet në vendin e 64-të në botë ndër 152 vende të ndryshme sa i përket nivelit të mirëqenies së qytetarëve, në indeksin SEDA që i referohet zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.Pozicionimi i Shqipërisë është i njëjtë me atë të vitit të kaluar, ndërkohë që ka fituar disa pikë më shumë.
Në krahasim me rajonin ndërkohë, Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina renditen më keq se vendi ynë. Ndër nën-indikatorët me performancën më të keqe bie në sy frikshëm ai i të ardhurave personale, me ngjyrë të kuqe, ku Shqipëria grumbullon vetëm 15.1 pikë.
Në rajon, asnjë vend tjetër nuk grumbullon kaq pak pikë sa vendi ynë në drejtim të të ardhurave. Në Europë ndërkohë, vetëm Ukraina dhe Bjellorusia janë më keq se vendi ynë, shkruan “scan”.
Nën-indikatori i dytë me performancën më të dobët ndërkohë është ai që i referohet punësimit. Në këtë drejtim, në krahasim me rajonin, më keq se ne është vetëm Bosnje Hercegovina. Edhe nën-indikatori që i referohet ambientit grumbullon shumë pak pikë.
Nga krahu tjetër ndërkohë, nën-indikatorët që marrin pikët maksimale janë ato të stabilitetit ekonomik dhe barazisë. Vetëm Belgjika, Franca, Polonia, Norvegjia dhe Zvicra në Europë kanë një performancë më të mirë se vendi ynë sa i përket stabilitetit ekonomik. Sa i përket nivelit të mirëqenies së qytetarëve në nivel global renditet në vend të parë Norvegjia, Zvicra dhe Islanda.
ma.me