Sot është parashikuar një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij grek Aleksis Cipras. Dy shefat e qeverive ndodhen në Britani në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor dhe pas këtij aktiviteti, pritet takimi veçmas mes tyre ku do të diskutohet për çështjet e pazgjidhura mes vendeve, të cilat janë pjesë e negociatave teknike të nisura prej kohësh mes dy vendeve.
Mediat greke, citojnë Cipras i cili ka thënë se situata në Ballkan po ndryshon.
“Periudha që kemi kaluar ishte jashtëzakonisht e vështirë për Ballkanin. Evropa përjetoi përtej krizës ekonomike, krizën më të keqe të refugjatëve pas luftës, e cila u përqendrua në rajon… Ne kemi përjetuar një përpjekje të tmerrshme të grushtit të shtetit në Turqi, si dhe krizat në Shqipëri dhe Maqedoni”, duke shtuar se gjërat po lëvizin për mirë.
Ai u ndal edhe tek bisedimet me Maqedoninë e Shqipërinë duke theksuar se problemet po shkojnë drejt zgjidhjes.
“Gjërat po ndryshojnë tani. Me Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshja Bullgari- FYROM (Maqedoni), me përpjekjet për të zgjidhur çështjet midis Greqisë dhe Shqipërisë, me presidencën e suksesshme bullgare të BE dhe ringjalljen e Axhendës së Selanikut për zgjerimin e BE”, shtoi kreu i qeverisë greke./a.m.