Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka ndaluar një punonjës policie dhe një avokat.
Ndalimi i tyre u bë me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarëve e prokurorëve, në këmbim të shpërblimeve monetare
Të shoqëruarit në polici janë inspektor Haki Dyli, 60 vjeç, punonjës policie me detyre trupë shërbimi në Sigurinë e godinës së Gjykatës Durrës, dhe Devis Qana, 40 vjeç, Avokat, pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë.
Ndalimi i tyre u bë në kuadër të një procedimi penal nisur disa muaj më parë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm, ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nga një hetim i realizuar ndaj tyre, është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme.
Të dy këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u premtonin palëve në proces hetimi dhe gjykimi favorizim përmes ndikimit me forma anti-ligjore.
Në këmbim të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë, ata kërkonin shpërblime monetare që varionin deri në 2 mijë euro.