Anëtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza rrezikon të mos e kalojë procesin e vettingut. Në përballjen e sotme në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka dalë ndër të tjera që gjyqtari Thanza ka marrë para nga një i afërm i një personi me probleme me drejtësinë.
Në seancë është shfaqur një foto e gjyqtarit Thanza me motrën e një personazhi të njohur në Shkodër (zyrtari i hipotekës). Sipas forcës operacioniale, në një moment gjatë takimit, shihet teksa këmbejnë një pako me gruan në fjalë, pra e merr pakon nga njëra qese e kalon në tjetrën. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se avokati i gjyqtarit Theodhori Sollaku ka mohuar dyshimet dhe ka thënë se bëhet fjalë për një kontakt me një person që ka qenë mik shtëpie për 20 vjet.
“Ai ishte në proces penal, fillon çështja pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë. Motra e personit që po hetohej takohet në Tiranë me bashkëshorten e gjyqtarit dhe pasi pinë kafe ajo nxjerr portofolin dhe paguan dhe kjo është marrë si korrupsion. Për këtë nisi hetim prokuroria e përgjithshme dhe hetimet u pushuan më pas edhe për mikun e familjes edhe për gjyqtarin”, deklaroi avokati.
Po kështu në seancën e sotme, trupa e KPK ka lexuar raportin e ILDKP ku thuhet se Thanza ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk ka burime financiare të mjaftueshme për të justifikuar pasurinë e tij.
Duke iu referuar raportit të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), trupa gjyqësore e KPK thotë se sipas kësaj drejtorie Thanza ka kontakte me personazhe të krimit, por konkluzionet janë të pabazuara në fakte. Gjithashtu gjyqtari ka gënjyer edhe në formularin e dekriminalizimit, pasi rezulton i dënuar në Itali për vjedhje në vitin 1999.
Sipas KPK, Thanza është pyetur nëse ka marrë ndonjë herë dhurata por nga një shoqëri ndërtimi ka marrë si dhuratë një garazh kur ishte relator në një prej çështjeve të saj dhe fill pas marrjes së dhuratës çështja ka pushuar.
Thanza u mundua të justifikohej duke thënë se është një pasuri e vënë me mund e djersë dhe është buka e fëmijë dhe janë lapsuse ato që deklaron KPK. /b.d