Nga Artan Fuga
Një reflektim mbi dramën e Alfred Musset :Lorenzacio
Padyshim që drama e Alfred Musset Lorezancio, është tipike dhe me vlera simbolike të veçanta domethënëse.
Alfred Musset lindi në një kohë, 1810, kur vrulli i revolucionit francez të vitit 1789 kishte nisur të zbehej, por ende faktet historike nuk flisnin për një proçes të gjatë rikthimi te vlerat politike të shoqërisë së mbështetur te ancien régime (monarkia absolute). Jeta e tij kaloi si meteor në hapësirën letrare pariziane.
Shumë shpej do të dukej sikur rrota e historisë po kthehej prapa, ndonëse në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, një proçes i tillë është i pamundur. Ushtritë napoleoniane, pasi i dhanë goditje të fuqishme monarkive absolute të Europës nëpërmjet shtrirjes së perandorisë në kontinent e më gjerë në bazë të forcës dhe dhunës, pa mëshirë, më në fund nisën të njohin disfata rrënuese para fuqive ushtarake dhe politike të koalicioneve të pushteteve mbretërore që i rrethonin. Ëaterloja i dha fund çdo shprese Napoleonit dhe frymës që ai përfaqësonte për të vazhduar projektin e nisur sa liberalizues në vlerat politike, aq edhe perandorak e kolonizues.
Familja mbretërore e Luigjëve rivjen në fron. Zhgënjimi i republikanëve është i fuqishëm. Idealet e tyre ndihen të rrëzuara përtokë.
Nuk kishin kaluar veçse tri a katër dekada dhe ata shihnin se populli që i kishte përshëndetur me zjarr e emocion idealet rusoiste dhe volteriane të Revolucionit të madh, tani përshendeste me poaq pasion dhe zjarr rikthimin e monarkisë. Dukej si një fëmijë i penduar. Si një djalosh që pasi i ka kaluar flladi i marrëzisë që i vjen nga energjitë e tepërta prej adoloshenti, rikthehet te kujtimet e vatrës familjare, kërkon mbrojtje te Ati, duke i kërkuar falje atij për “çmendurinë” e treguar në revoltë e sipër kundër autoritetit të tij të vjetër simbolik.
Humbja e besimit te populli
Zhgënjimi i parë është ndaj popullit, pra masës së qytetarëve. Dekada të tëra instabiliteti politik në Francë kalohen me vështirësi të pashoqe, duke u konkretizuar në dramat politike të vendosjes së monarkisë së Lui Filipit pas ngjarjeve të vitit 1830 dhe më pas në një ndeshje të pashoqe midis republikanëve, krahut të tyre revolucionar, dhe monarkistëve që e kërkojnë shpëtimin te një president të fuqishëm sa herë nuk është e mundur të mbrohet hapur monarkia e ndritur, revolucionet europiane të vitit 1848 ishin shprehje e këtyre konflikteve, që në Francë përfunduan në 1852 nëpërmjet një grushti shteti me anë të të cilit Napoleoni III rikthen Perandorinë.
Drama e Alfred Musset konsiderohet prej kritikës si letërsi romantike. Gjuha e saj është një simbolikë artistike e zhanrit historik që në fakt pothuajse nuk e fsheh mesazhin e qartë politik aktual për kohën e vet. Historia bëhet kështu gjuha e aktualitetit.
Musset i referohet historisë së shekullit të 16 –të në një prej qyteteve – shtet italiane të kohës, me lavdinë dhe tragjeditë e tija të paharueshme, Firences. Familja Mediçis vendoset në qendër të tensioneve mes republikanëve demokratë dhe tiranëve autoritarë që rrëshkasin shpesh drejt despotizmit të hapur. Mesi i këtij shekulli në Firencen që nxjerr emrat e paharruar të Torriçelit, Makiavelit, etj., shoqërohet me grushte shteti, vrasje, kthime e rikthime në pushtet, gjithçka atje i ngjan një loje teatrale ku spektator është masa e njerëzve të thjeshtë, të cilët shfaqen herë si qytetarë të lirë kryeneçe dhe herë të tjera si nënshtetas të bindur.
Ajo luhatje sistemesh qeverisjeje që arkivat e Firences dëshmonin tre shekuj më parë sesa Musset të shkruajë dramën e tij, përsëriten si me magji edhe në Fracën dhe Europën e dekadave të para të shekullit të 19 –të. Po ajo luhatje vlerash, po ajo mistikë në veprimin popullor që kalon nga revoltat e dhunëshme dhe të hatashme në bindjen kokëulur dhe skallavëruese e poshtëruese ndaj pushteteve.
Duket sikur nuk është i njejti popull.
Cila është natyra e popullit, pra ?
A ia vlen të sakrifikosh duke u vendosur në krye të tij, ndërkaq që ai pasi të mbështet, në një çast të vetëm, në inat e sipër, mund të të braktisë duke e lënë projektin historik në mes të udhës ?
Kohë zhgënjimesh që duket se lejon të dramatizohet për t’iu përçuar shekujve një mesazh universal.
Përmbysja e vlerave
Duket se horizontet historike janë përmbyllur përsëri. Shekulli i tetëmbëdhjetë nëpërmjet letrave të shndëritshme të tija dukej si plot shpresë e besim. Shekulli që e pason sjell zhgënjime.
Përfundon ideja e progresit që gjoja sjell arsyeja – vlerë dhe utopi aq e dashur për iluministët e shekullit të 18 – të.
Shpresa se liria përkon me thelbin e natyrës njerëzore nis e venitet.
Besimi se pas përmbysjes së rregjimit të vjetër shoqëria do të hyjë në fazën e lulëzimit progresiv përplaset në realitetin e hidhur të një pune në fabrikë ku kushtet njerëzore i ngjajnë më shumë burgut, çmendinës, xhunglës sesa një institucioni social normal.
Pas epokës revolucionare, heroike, njeriu po përballonte ashpërsinë cinike, prozaitetin e punës së përditshme, monotone, tjetërsuese të industrisë së asaj kohe.
Bashkë me të gjitha këto përmbysje vlerash, transformohet krejt edhe trajtimi i temës së rinisë dhe i idealeve të saj politike. Iluministët kanë krijuar tashmë figura të rinjsh idealë si Kandidi, Emili, etj.
Në pamfletet letrare të Volterit, i riu i kohës është në ndeshje të vazhdueshme me absurditetet e rregjimit të vjetër. Puna e edukon Emilin e Rusoit, arsyeja është forca e tij e pashtershme. I riu është plot gjallëri, arësye, ideale që i arrin pas përpjekjesh historike. Duket sikur historia i ka hapur portat e saj për t’a lejuar shoqërinë t’i arrijë objektivat e vendosura në përpjekjet që ajo bën drejt progresit. Duket se liria është aspirata themelore e saj. Rinia është në ballë të lëvizjeve revolucionare, përmbysëse, bartëse e idealeve të reja triumfuese. Arsyeja mbisundon mbi mistiken dhe paragjykimi, liria paraqitet si antipodi i ndritur i sundimit tiranik, i papranueshëm për natyrën njerëzore. Njeriu i lirë, kishte argumentuar Xhon Loku, është vetë njeriu, liria është projekti thelbësor njerëzor, është vetë natyra e qenies njerëzore.
Cfarë ka përballë kjo kulturë letrash e shekullit të 18 –të kur transferohet në shekullin e 19 – të ? Cili është imazhi i rinisë një shekull më vonë ? David Koperfild, Evgjeni Grande, vëllezërit Karamazov, Kozeta, Gavroshi, Ana Karenina, etj.
Varfëria, humbja e idealeve, rënia shpirtërore, individualizmi, kotësia e një jete pa ideale, shfrytëzimi. Ardhja e një periudhe disi të zymtë zhgënjimesh prek së pari pikën më sensitive : imazhin e rinisë dhe rolin e saj në politikë.
Lorenzacio
Personazhi kryesor i dramës së Musset është Lorenzacio. Është një dalë i ri që vjen nga e njejta familje Mediçi sikurse edhe tirani i Firences, edhe ky një djalosh i ri, i ardhur në pushtet nëpërmjet mbështetjes së marrë një Papa dhe nga Mbreti i Francës që në atë kohë sundonte mbi pjesë të gjera të gadishullit italik.
E vërteta e jetës dhe e qëllimeve të këtij të riu del pothuajse në fund të dramës. Ai kishte pas qenë një fëmijë i mbarë dhe një adoleshent gjithë ndjenja. Ndërkaq, si pjesëtar i familjes Mediçi, kushëri i tiranit të Firences, ia kishte fituar zemrën këtij të fundit, i cili nuk e ndante prej vetes si shok e mik në të gjitha orgjitë, aventurat cinike, karnavalet, ballot, përdhunimet, dehjet, gjahun, ngacmimet, dhunën e ushtruar në qytet kundër njerëzve të varfër dhe qytetarëve fisnikë. I gjithë qyteti trembej dhe urrente si tiranin ashu edhe mikun e tij, Lorenzacio.
Pas një veprimi dramatik plot tension, në fund të veprës letrare, qytetarët, të udhëhequr nga kryetari i familjes Skorca, Filipi, përgatiten të kryejnë një revolucion, t’a rrëzojnë tiranin nga froni dhe të rivendosin me forcë republikën. Filipi, një qytetar fisnik rreth të gjashtëdhjetave, ka arsye të forta personale për të qenë në krye të lëvizjes : vajza e tij është tërhequr në rrugën e prostituimit nga tirani, djemtë e tij rrezikojnë të burgosen, e gjithë familja të shkatërrohet. Pritet reagimi i tiranit, sepse djemtë e familjes Skorca kanë vendosur t’a vrasin për t’u hakmarrë. Ky do të ishte edhe sinjali i revolucionit.
Filipi ndjehet në një çast kthese të jetës së tij. Ai ndodhet mes miqsh të betuar për t’i shkuar deri në fund çështjes së marrë përsipër për t’a shpëtuar qytetin nga tirania. Synimin e tij ia shfaq me zemër të thyer edhe Lorenzacios, për të cilin ende ka një farë shprese se nuk është tërësisht i degjeneruar sa tirani. I thotë se ka ardhur më në fund koha kur ai e sheh me qartësi jetën e tij dhe thelbin e njeriut, atë që njeriu duhet të bëjë për lirinë. Ndjehet fajtor që ka qenë gati pacifist, se ka shpresuar se e mira do të triumfojë vetiu mbi të keqen, se ka parë vetëm mbrothësinë e familjes së tij të ngushtë dhe nuk ka vërejtur rreth e rrotull tij fatkeqësitë e të tjerëve duke qendruar indiferent ndaj tyre. Më në fund, më mirë vonë se kurrë, ka vendosur t’a thotë të vërtetën e jetës së tij : njeriu kurrë nuk duhet të rrijë duarlidhur ndaj vuajtjeve të të tjerëve, gjithëmonë duhet të jetë partizan dhe militant i lirisë dhe për republikën, sensibël ndaj qytetit, solidar me qytetarët që e rrethojnë, i sakrificës.
Të gjitha këto, i mërzitur sikurse është, ia shpreh Lorenzancios. Por, habitet dhe tronditet pa masë kur dëgjon përgjigjen e këtij të fundit. Këtu shfaqet edhe thelbi i personazhit kryesor të dramës, Lorenzacio, si edhe vetë çasti dramatik më i spikatur i saj.
Replika e Lorenzacios është befasuese.
Unë, i thotë ai qytetarit të vjetër që po përgatit kryengritjen, do t’a vras vetë tiranin sonte. Do t’a vras unë, prandaj ju nuk duhet të lëvizni, nuk ka nevojë për revolucion. Mos u bëj thirrje qytetarëve të ngrihen për liri.
Tani, po t’a tregoj të fshehtën e jetës sime. Jam bërë mik me tiranin me qëllim që pasi t’i fitoj besimin të gjej rastin t’a likujdoj fizikisht. Qysh në rini, duke lexuar librat e historisë greke dhe romake, kam ëndërruar për të kryer një vepër të madhe në jetë. Isha i mbushur me idealet e librave që dëshmonin për aktet madhështore të të rinjve dhe shërbimet që ata i kishin bërë vendeve të tyre.
Më pasiononte fakti që Brutusi kishte vrarë Cesarin.
Cfarë guximi heroik !
Nuk kisha parasysh mirë se kë duhej të vrisja. Njerin nga tiranët e gadishullit, nuk ka rëndësi se cilin. Vajta në fillim të vrisja diktatorin e Romës, por më pikasën në qëllimet e mija dhe prandaj më zbuan nga qyteti. Erdha në Firence dhe kam vite që po përgatitem të likujdoj tiranin e qyttit. Më dukej se ai e meritonte këtë fat. Prandaj, rrini të qetë, aktin e fundit m’a lini se do t’a kryej vetë.
Nuk ka nevojë për revolucion, ka nevojë për një vrasje.
Synimi im djaloshar më kishte përpirë të tërin në fillim. Doja të mbetesha heroik në histori, për mua të flisnin librat e historisë. E gjithë qenia ime më shtynte drejt veprës heroike. Për këtë qëllim nuk doja t’a ndaja me të tjerë aktin liberator, doja t’a kryeja vetë, të isha i vetmuar autori i saj.
Pak e nga pak hyra në jetën intime të tiranit. U bëra pjesë e pandarë e festimeve, orgjive, paudhësive, padrejtësive, përdhunimeve të tij. Për vite me rradhë. Me një qëllim të vetëm : të gjeja rastin për t’a zhdukur.
Por, sa më shumë i afrohesha qëllimit tim, aq më tepër gjërat ndërlikoheshin. Pak e nga pak jeta ime nisi të dyzohet. Filluan edhe mua të më pëlqejnë qejvet, orgjitë, pija, gjahu, jeta e lehtë, festat, ballot dhe sjelljet e shfrenuara. Sigurisht në fillim mendoja se kjo nuk do të më pengonte për t’a kryer aktin tim fisnik. Degjenerimi im moral po kryhej në emër të aktit historik që i kisha caktuar vetes si qëllim madhor. Justifikohej dhe legjitimohej prej tij. Nuk e shihja se cfarë po ndodhte në veten time të përditshme ndërkohë që e quaja personin tim si instrumentin e lirisë kolektive dhe të drejtësisë universale. Cfarë rëndësie kishte fakti se i kisha hyrë një jete të shthurrur, kur kjo justifikohej nga qëllimi im i drejtë ? Por, pak e nga pak pikërisht kjo jetë e shthurrur e përditshme, korrupsioni, padrejtësia, përbuzja e qytetit, jeta mes një ambjenti krejt përbuzës ndaj qytetarit të thjeshtë nisi të më pëlqejë. Dyzimi i jetës sime u bë një fakt i pamohueshëm. Mjeti po e infektonte gradualisht krejt qëllimin e jetës sime.
Por, prit se nuk mbaron me kaq ajo që më ka ndodhur. Pak e nga pak në sytë e njerëzve unë isha njësoj si vetë tirani, imazhi i tij më ishte ngjitur mbi lëkurë. Ishte bërë lëkura ime e dytë. Në sytë e opinionit publik unë edhe ai ishim bërë e njejta gjë. Ishim të dy njësoj. Isha bërë pa e kuptuar si ai. Revolucionari ishte ndryshuar duke u bërë njësoj si tirani. Jo aq nga brenda vetes. Qëllimi mbetej i njejti, ai e urrente tiranin dhe donte gjithëmonë t’a vriste. Nuk ishte puna aty. Puna ishte te shfaqja e jashtëme, te kuptimi i jashtëm i veprimeve të veta. Populli më dukej se nuk kuptonte kush isha. Ai i barazon midis tyre veprimet e njejta nga pamja e tyre e jashtëme, pavarësisht qëllimeve të kundërta që fshiheshin pas tyre.
I dukej i njejtë tirani që vepronte për të përmbushur dëshirat e veta perverse, dhe Lorenzacio që vepronte si ai, por për qëllime krejt të tjera. Veprimet e tyre shfaqeshin të njejta në sytë e masës së qytetarëve të shtypur. Unë isha bërë si ai, ai ishte si unë.
Fundja, njeriu është ashtu sikurse e shohin.
Duke dashur të mbetesha në histori si vrasës tiranësh, figurë sumblime, që më kishte tërhequr me pasion në rininë time naive, paprimtas kisha mbetur në kujtesën popullore si figurë poaq e urryer për popullin. Cfarëdo që të kisha pasur në mendje, kujtesa kolektive do t’iu përcillte tashmë brezave jo aq atë që unë isha në brendësi të vetes sime, por kuptimin e jashtëm të sjelljes sime. Historia kështu gabon, është e destinuar të gabojë pafundësisht. Misioni dhe ideali im për të mbetur si figurë e lirisë dhe e drejtësisë kishte dështuar pikërisht sepse opinioni më shihte sipërfaqshëm, nga ana që i interesonte atij, pra nga aktet dhe jo nga qëllimet e mija.
Po përsëri nuk ishte kjo më e dhimbëshmja. Ka edhe më tej. Kuptova se të gjithë librat e historisë na kishin përcjellë gënjeshtra dhe iluzione krejt të gabuara. Sikurse kujtesa kolektive do t’a përcillte edhe imazhin tim, krejt gabim, në historinë e ardhëshme, po ashtu do të kishte pas bërë historia e kaluar me heronjtë e dikurshëm, apo së paku me ata që ne i quajmë heronj. Ata në brendësi të tyre do të kishin pas qenë krejt tjetër nga sa ne dimë dhe mund të dimë për t’a. Fatalisht kemi një informacion historik të transmetuar kolektivisht në mënyrë të gabuar.
Librat e historisë na gabojnë jo vetëm për heronjtë, por edhe për shpirtin e popullit. Këtu mbaron drama ime, fundi i iluzioneve dhe i ëndërrave të mia. Ti Filip, gjykon se tani në pleqëri të ka ardhur koha për t’a thënë të vërtetën tënde, për të kuptuar se jeta ka kuptim vetëm nëse sakrifikohesh për qytetarët, për idealin e lirisë dhe të drejtësisë për t’a. Tamam atëhere kur kujton se mendja jote është ndriçuar, pikërisht atëhere ke rënë në gabimin e fundit, përfundimtar, të jetës tënde. Kjo vjen se ti ke një kuptim krejt të rremë për qytetarët dhe masën e popullit. Ti projektion atje idetë dhe shpirtin tënd fisnik. T’i shihesh atje si në një pasqyrë. Kujton se sheh vërtet thellësinë e ujit të ndejtur që ke përpara syve të tu dhe nuk kujtohesh se në të vërtetë je duke parë veten tënde të reflektur mbi sipërfaqen e shndritshme të ujit, pa ditur dhe kuptuar fare se çfarë fshihet brenda saj, çfarë ka poshtë saj. Kurse unë, ndonëse i ri, zgjodha një rrugë tjetër për t’a kuptuar jetën.
U bëra sondë.
Nuk qendrova në sipërfaqen e lëmuar të jetës, por hyra thellë brenda realiteteve të hidhura të saj. Duke bashkëjetuar me krimin, me përdhunimet, me vjedhjet, me padrejtësitë, me orgjitë, me korrupsionin, duke e ngacmuar jetën në pikat e saj më delikate, duke u zhytur, pra, pikërisht si sondë, në detin e gjerë të jetës, ujërave të ndjetur të qytetit, unë pashë se çfarë kishte vërtet në të.
Librat e historisë më kishin gënjyer, na kishin gënjyer. Na kishin thënë se njeriu lind i lirë, se liria është thelbi i qenies njerëzore, se njerëzit janë gati të vdesin, janë gati të revoltohen sa herë që mbi t’a bie shtypja dhe tirania. Por, sondimi im disavjeçar, përvoja ime, më tregoi krejt të kundërtën. Njerëzit janë qenie të nënshtruara, të frikura, pa guxim, servile, i nënshtrohen më të fortit, atij që i shtyp dhe i poshtëron. Nuk është vetëm tirani burimi i së keqes. Pushteti i tij nuk mbështetet thjesht në mizorinë dhe perversitetin e tij, por edhe në përunjësinë frikamane, servile, të paturp të qytetarëve.
Sa etër kam parë që pranonin dhunën mbi djemtë e tyre pa bërë zë, a thua se kjo ishte vetë dora e Zotit që i ndëshkonte !
Sa familje kam parë që janë cënuar në nderin e tyre dhe nuk kanë bërë zë, përkundrazi, nuk janë revoltuar, dhe janë sjellë me serviliziëm, ndaj pushtetit të tiranit duke iu përulur atij poashtu sikurse i përulet besimtari Zotit të tij të vërtetë!
Sa vajza kam kaluar nëpër duar thjesht sa për të kënaqur dëshirat e mija erotike, dhe fituar besimin e tiranit, për t’i treguar se isha si ai!
I përdhunoja në emër të lirisë!
Prisja që nënat e tyre të më hidheshin në fyt, që vëllezërit e tyre të më zinin pusi në ndonjë cep rruge për të më vrarë, por asgjë nga këto nuk ndodhëte. Populli na nderonte edhe më shumë. Nënat i shtynin nga pas biles vajzat e tyre për të më rënë në sy sa herë kaloja rrugëve të qytetit. Donin të m’i blatonin. Mbase njera prej tyre, kushedi, do të kishte fat. Ku i dihej ? Donin të fitonin jetën, t’iu afroheshin të fuqishmëve qoftë edhe duke shkelur mbi nderin dhe lirinë e vajzave të tyre.
Duke luftuar për lirinë e qytetarëve pashë se në thelb ata nuk ishin gati për t’a fituar atë.
Ata nuk e donin më lirinë sepse ishin mësuar që të jetonin të shtypur.
Nga ai çast kuptova se qëllimi im për të vrarë tiranin nuk kishte pas qenë veçse një delir djaloshar, një ëndër adoleshenti, një shpirt egoist për të qendruar në histori si heronjtë e dikurshëm, si një iluzion i gabuar i nxitur nga gënjeshtrat e teksteve të historisë së shkuar. Në vetvete nuk paskësh pasur asnjë kuptim meqë nuk ka pikë kuptimi të luftosh për lirinë e atyre që nuk e duan lirinë, që janë çmësuar prej saj, dhe janë të lumtur të jetojnë në nënshtrim.
Njeriu dëshëron vetëm të sigurojë interesin personal, material, dhe asgjë më shumë, idealet e lirisë, qytetarisë, barazisë mbeten ideale iluzorë. Gënjshtra të ardhura nëpërmjet teksteve të historisë. Ja si puna jote, Filip, ti thua se po ngrihesh për lirinë e qytetit, në fakt, kërkon në një ditë si kjo vetëm të hakmerresh për atë që ke pësuar personalisht. Ti fsheh nën idealin tënd hipokrit për liri vetëm egoizmin tënd, dëshirën tënde personle për hakmarrje. Ti je një hakmarrës, me sy të skuqur nga inati, nuk je një luftëtar ilirisë. Edhe ti një ditë do t’a harrosh këtë dhimbje që të mundon sot. Do t’a gëlltisësh si mijëra të tjerë.
Prandaj, nuk ka kuptim të bëni revolucion, të vendosni republikën, qytetarët një ditë përsëri do t’ju tradhëtojnë dhe do të bashkohen pikërisht me ata që i kanë shtypur, përdhunuar, e poshtëruar, apo me pasardhësit e tyre. Do t’iu tradhëtojnë sepse liria është një vlerë shumë e e vështirë për t’u përqafuar. Populli është shumë larg prej saj.
Lini armët, kthehuni në shtëpitë tuaja, mos e fusni qytetin kot në pellgje gjaku dhe lojëra dhune. Republika nuk e ka jetën e gjatë. Një ditë populli do t’a kërkojë përsëri tiraninë sepse dëshëron mbrojtje, ka nevojë të jetë i sigurt nën shtypjen e tiranit. Sa për tiranin, rrini të qetë, sonte do të shkoj t’a likujdoj fizikisht, mos kini merak, por nuk e bëj në emër të idealit tim fillestar.
Idealet e mija janë zbehur dhe zhbërë gjatë rrugës së realizimit të tyre.
Do t’a bëj thjesht sepse dua në mënyrë egoiste edhe unë t’i mbetem besnik frymës sime të pakuptimtë djaloshare, asaj që kam pasur në rininë time të hershme. Do t’a vras ndofta pikërisht sepse jam bërë si ai. Ndofta duke e vrarë atë, pohoj njëherazi zhdukjen time, humbjen e iluzioneve të hershme. Është mbase një hakmarrje kundrejt tij meqë ai fitoi ndaj meje, mbase sepse e kuptova që ai në thelb është si vetë ata, qytetarët, që ai shtyp. Pas këtij akti do të më vrasin, aq më bën, çfarë më duhet kjo jetë ku kam humbur autenticitetin tim, ku mjetet i përmbysën qëllimet, ku lufta ndaj tiranit të përpin dhe të bën tiran.
Cdo shekull, imazhin e tij
Cdo shekull, në letrat e tij, përpunon një imazh krejt të veçantë për vlerat në politikë. Shekulli i 18 – të prodhoi revolucionarin idealist që beson idealisht te progresi. Shekulli i nëntëmbëdhjetë na dha të qytetarin që nuk di t’a gjejë rrugën në jetë, kritik, dhe të larguar e zhgënjyer nga idealet politike utopike të një shekulli më parë, cinik. Shekulli i njëzetë, te Pavël Koçagin, i heronjve të Maksim Gorkit, na sjell revolucionarin që me dhunë dëshëron të ndryshojë faqen e botës, rrënjësisht, duke fshirë ng faqja e dheut pronë e familje.
Të gjitha janë imazhe kalimtare që bëjnë në histori udhën e tyre të përkohëshme. Të gjithë të vlefshëm, të gjithë iluzione. I u kanë besuar atyre breza të tërë të rinjsh, “bij të shekullit të ri”, të cilët u plakën dalëngadalë në politikë, nga shekulli në shekull, e pastaj lihen pas sa me dhimbje aq edhe me harresë të pashoqe.
Nuk pjek brezi idealin, ka qenë ideali që ka plakur brezin.
Aq sa shpesh pyetet : Janë ideale të moshës, apo vlera universale ?
Të shohim se çfarë do të na ofrojë shekulli i njëzetenjë !