Numri dy i PS, Taulant Balla, ka postuar sot pamjet e kamerave të sigurisë gjatë seancës ku votohej ‘Ligji për Teatrin’.
Përmes rrjetit social Facebook, Balla shkruan se duket qartë se kush janë deputetët që kanë ndryshuar kartën e votimit të Robert Bitrit me atë të Vangjel Tavos.
“Tani shikoni pamjet filmike që Sekretariati i Votimit mori në shqyrtim. Duket qartë se kush janë deputetët që marrin pjesë në ‘aksionin’ për ndryshimin e kartës dhe duket gjithshtu edhe momenti kur deputeti Robert Bitri ushtron mandatin e tij për të votuar në vendvotimin e vet. Më vjen keq për Profesor Panaritin që është përfshirë në këtë skenar”, shkruan Balla.
Në pamjet duket momenti kur deputeti i LSI, Përparim Spahiu, merr kartën e deputetit Bitri, që nuk ndodhet në karrige për momentin.
Më pas Spahiu vendos sërish një kartë në tavolinën e ish-deputetit të LSI, që sot qëndron i pavarur. Ndërsa Edmond Panariti voton me atë kartë në vendin e Bitrit.
Pas postimit të Ballës, ka ardhur edhe reagimi i deputetit të LSI Edmond Panariti. Ish-ministri i LSI-së e fton Ballën të publikojë të plotë videon, pasi pretendon se Bitri e ka larguar kartën e Tavos dhe ka përdorur më pas kartën e tij.
“Ftoj zotin Balla, te publikoje te plote videosekuencat e seances dhe veçanërisht momentin kur zoti Bitri, vjen ne seance edhe ulet ne postin e tij. Aty do te shihni qarte se si zoti Bitri, pasi ulet ne karrige, e largon karten e deputetit Tavo dhe perdor karten e tij. Vendosja e kartes se zotit Tavo ne postin e z. Bitri, ishte propozim per zevendesimin e tij ne formatin e grupit, pas largimit te tij nga LSI”, shkruan Panariti në përgjigjen e tij.