Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut” ka nisur puna për restaurimin e Memorialit të Skënderbeut, Kishës së Shën Nikollit (Vendvarrimi i Skënderbeut) dhe Muret e Qytetit Antik Lis, Zona Breglumore e Parkut Arkeologjik.
Ky projekt me vlerë 30 milion lek, financohet nga Ministria e Kulturës dhe realizohet brenda Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit.
Projekti i restaurimit është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e plotë të memorialit, Kishës së Shen Nikollit, riformulimin e mbulesës së objektit, sistemin e ndriçimit dekorativ dhe funksional, si dhe ndërhyrje konservuese – restauruese në mozaik dhe afresk.
Muzeu i Kastriotëve, në fshatin Sinë të rrethit të Dibrës, do t’i nënshtrohet restaurimit, ndaj për shumë pak kohë nuk do të jetë i vizitueshëm. Projekti i hartuar nga specialistët e IMK-së ka për qëllim restaurimin e plotë të objektit, riorganizimin e sistemit të ndriçimit dhe instalimeve elektrike, si dhe sistemimin e territorit përreth godinës. Pjesë e rëndësishme e projektit është edhe muzealizimi. Duke vlerësuar inventarin e pasur të muzeut dhe ambientin e ekspozimit, projekti synon riorganizimin e tabelave të ekspozimit, në cilësi, dimensione dhe formë.
Muzeu i restauruar shumë shpejt do të kthehet në një tjetër itinerar mjaft tërheqës për turistët.
Trashëgimia kulturore dhe turizmi kulturor – prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës.
“Rrugët e Besimit”, kantieret e restaurimit në 5 monumente të besimit islam
Restaurimet dhe vëmendja ndaj objekteve të kultit janë ofertat e reja turistike të programit “Rrugët e Besimit”, nga jugu në veri.
Janë ngritur kantieret për restaurimin e plotë të 5 monumenteve të kulturës së besimit islam në vend, ku ndërhyrja e parë tërësore pas dekadash lënie ne rrënim do të nxjerrë në dritë vlerat e tyre të jashtëzakonshme kulturore e artistike duke i kthyer ne referenca kyç të itinerareve turistike.
“Këto kantiere janë vetëm një nga ofertat e reja turistike në programin ‘Rrugët e besimit’, ku nga Veriu në Jug, po ofrojmë vendet e kultit më tipike dhe përfaqësuese, jo vetëm të kulturës dhe artit, por edhe të bashkëjetesës fetare si një origjinalitet shqiptar” -cilëson ministrja Kumbaro fillim punimet në këto kantiere.
Këto investime të rëndësishme janë ngritur në objektet e kultit në Berat: Restaurim i Xhamisë Mbret, restaurimi i Xhamisë së Beqarëve, restaurimi i Teqesë Helvetive, Xhamia e Et’hem Beut, Tiranë dhe Xhamia e Pazarit, Gjirokastër. Grupit të Institutit të Monumente të Kulturës iu bashkua për inspektim edhe profesor Aleksandër Meksi, DRKK – Berat, përfaqësues nga shoqëria turke “TÜMAS” dhe TIKA-Turkish Cooperation and Coordination Agency.
“Rrugët e Besimit” kalon edhe në Kishën e Shën Mërisë në Peshkëpinë e Sipërme të Dropullit, për t’iu nënshtruar ndërhyrjeve restauruese, pas dekadave të lëna në harresë. Shumë shpejt do të nisë restaurimi i pikturës murale në Kishën e “Shën Venerandës”, në Pllanë – Lezhë, ku do të kryhen ndërhyrje konservuese – restauruese në pikturën murale të kishës.
Pas projektit për restaurimin e fragmenteve të dëmtuara në pikturën murale të Kishës së Shën Premtes”, në Valsh, Elbasan, specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë hartuar edhe projektin për restaurimin e objektit.
Ka nisur puna për restaurimin e Urës së Shën Prodhomit, Voskopojë, monument kulture i kategorisë së I-rë, ndërtuar në shekullin XVIII dhe në Kishën e Shën Thanasit në Leshnicë. Projekti i restaurimit është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon konsolidimin e çarjeve në muraturë; ringritjen e kolonave, kupolave dhe qemerëve me strukturë guri; ringritjen e murit anësor, në pjesën jugore të kishës; ringritjen e çatisë; sistemime të jashtme.
Në këtë verë janë miratuar disa projekte restaurimi nga KKR:
Restaurim “Ura Antiko – Mesjetare “mbi lumin Vjosë, nën kalanë e Tepelenës;
Restaurim “Ura e Nivanit”, Zagori;
Restaurimi i “Kalasë së Drishtit”, Shkodër;
Restaurim i pikturës murale në Kishën e Marmiroit, Pashaliman – Vlorë;
Restaurim i “Kalasë së Bashtovës”, pranë fshatit Vilë, Rrogozhinë;
Restaurim i “Urës së Mesit”, në fshatin Mes, Shkodër;
Restaurim i “Kishës së Ipapandisë”, në Dhërmi –Vlorë;/a.♪5