Në luftë për bukën e gojës. Ndërron jetë edhe i riu tjetër që e zuri poshtë godina dje në Laç, teksa po punonin për të nxjerrë hekur që ta tregtonin për skrap nga ish-uzina e superfosfatit, një ndërtesë e vjetër e periudhës së regjimit komunist.
Dashamir Hajha, 28 vjeç ka ndërruar jetë orët e para të mëngjesit të sotëm në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi mbeti i lënduar rëndë në rrënojat e ndërtesës.
Ndërsa dje, ndërroi jetë në vendin e ngjarjes Drilon Lamaj, 27-vjeç. Të dy ata po shembinin një godinë për t’i marrë hekurin. Gërmimet kanë provokuar shembjen e ndërtesës së vjetër dhe për rrjedhojë një pjesë e saj ka rënë dhe ka zënë poshtë dy të rinjtë. Dy të rinjtë vinin nga familje të varfra dhe luftonin çdo ditë për bukën e gojës.
Në godinën e ish-Uzinës së Laçit çdo ditë ka njerëz në kërkim të hekurave të cilat më pas tregtohen për skrap. Aksidente të tilla aty ka pasur edhe më parë në këtë zonë. Në vitin 2013-të një 14-vjeçar humbi jetën, teksa po kërkonte për skrap, ndërsa autoritet vijojnë të heshtin duke mos marrë asnjë masë për të frenuar këtë fenomen mjaft të rrezikshëm.
a.ç