Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas miratimit të ligjit që i hap rrugën shembjes së teatrit aktual dhe ndërtimit të një të riu.
Ai ka deklaruar se opozita do të vijojë qëndresën për të shmangur shembjen e godinës teksa paralajmëroi se do ndjekin çdo rrugë për të ndaluar atë që e cilëson aktin më të rëndë të pastrimit të parave.
“Edi Rama po e kthen Shqipërinë në një lavatriçe për pastrimin e parave të pista. I bëjmë thirrje presidentit të mos e ligjërojë vjedhjen. I bëjmë thirrje qytetarëve të bëjnë qëndresë. Bashkë, nuk ka njeri ta shembë teatrin”, tha Basha.
Teksa u pyet nëse PD është gati për djegien e mandateve, ai dha të njëjtën përgjigje që ka përsëritur prej kohësh se “çdo opsion është i mundshëm”. Por, kreu i selisë blu tha se zgjedhja e opozitës është përballja.
“Jemi të vendosur t’i ndjekim të gjitha hapat, nuk kam ndërmend të zbuloj kalendarin e t’i bëj sensacione mediatike. Djegia e mandateve është opsioni më i lehtë por ne do zhbëjmë parlamentin”, tha Basha.
Ashtu si në daljet e tjera ku ka sulmuar ambsadorët, edhe këtë herë Basha nuk i kurseu thirrjet për diplomatët e akredituar në Tiranë.
“U bëjmë thirrje ambsadorëve, ja ku keni një projekt të pastrimit të parave, ja ku keni një akt që bie ndesh me detyrimet e integrimit, ja ku keni një tufë me peshq të mëdhenj. Nëse nuk flisni sot, nuk ka për t’ju besuar askush kur të flisni nesër. Babëzia e Edi Ramës ka konsumuar aktin më të rëndë të pastrimit të parave. Beteja nuk ndalet derisa ta ndalim. Ne do përballemi në rrugë e në sheshe. Do t’i bashkohemi çdo akti të artistëve në ambjentet e teatrit e kudo”, tha ai./a.m.