Një emigrant shqiptar që jeton në Itali, ka denoncuar në “Fiks Fare” Berishën, duke e akuzuar këtë të fundit si mashtrues.
Berisha ka publikuar më 1 korrik një video ku pretendonte se demonstronte kanabisin e mbjellë në Vlorë, por emigranti në fjalë e ka cilësuar këtë akt si mashtrim.
Ai thotë se videoja është regjistruar prej tij në një qytet italian, ku kanabisi është mbjellë për qëllime mjekësore.
I prezantuar si Dj Liku, emigranti shqiptar tregon se video është regjistruar më 10 qershor të këtij viti në qytetin e Rekanatit, pranë Ankonës.
Ai vijon të thotë se videon ia ka kaluar më pas një mikut të tij, duke i thënë në nota humori se “shiko si ka plasur hashashi”.
DJ Liku thotë për “Fiks Fare” se më vonë i kanë thënë se kjo video është publikuar nga Sali Berisha në “Facebook”.
Ai vë në dukje se nuk ka përmenduar në asnjë moment se video është bërë në Shqipëri. Madje, ka bërë edhe një video të dytë për të treguar se regjistrimi është bërë në Itali.
“Unë e kam bërë këtë video për shokun tim dhe nuk e kuptoj pse Berisha ka thënë që është hashash në Vlorë, por mbase nga dialekti im vlonjat. Por ç’faj kam unë se nëna më ka bërë në Vlorë”, tha DJ Liku për “Fiks Fare”.
Ai ka dhënë po të njëjtat sqarime edhe për policinë shqiptare.
/b.d