Komisioni i Reformës Zgjedhore po i shkon drejt fundit fazës së parë, e cila është faza përgatitore për 6 fushat kryesore ku është përqendruar puna e këtij komisioni për të adresuar rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR me një fokus të veçantë që vitin që vjen, vitet që vijnë të kemi zgjedhje të lira e të ndershme.
Nisur nga konflikti i gjatë politik në vend duket sikur ky komision po ecën si në fije të perit, në mënyrë që të vazhdojë punën e tij; puna e tij të mos pengohet dhe të arrihet konsensus për ato që janë çështjet kryesore për të cilat palët duhet të krijojnë besim në procesin zgjedhor.
Bëhet fjalë për shit-blerjen e votës, një rekomandim prioritar i OSBE/ ODIHR dhe për depolitizimin e komisioneve zgjedhore dhe a është teknologjia që adreson diçka prej këtyre problemeve?
Pavarësisht skpeticizmit për votimin biometrik dhe numërimin elektronik ekspertët i janë afruar idesë se teknologjia mund të reduktojë fenomenet që çojnë në shit-blerjen e votës. Po ashtu besojnë se teknologjia redukton edhe nevojën e partive politike për tek shpresuar vetëm tek integriteti i 40 mijë komisionerëve. Po nëse për teknologjinë pritet të ecet me një projekt pilot në zgjedhjet vendore, ende nuk dihet se si do veprohet për të rritur paanshmërinë e administratës zgjedhore.
Nëse në 2012-ën ishin socialistët në opozitë që refuzonin depolitizimin e administratës zgjedhore, tani në qeveri, janë ata që e kërkojnë dhe demokratët që e refuzojnë. Mund të dëgjosh shumë ide nga ekspertë të huaj, por terreni shqiptar dikton me specifikat e veta.
Ndërkohë Denar Biba, zv.kryetar i KQZ-së zgjedhur nga socialistët, tha se nuk beson në një depolitizim të menjëhershëm. Kësisoj ai këshilloi palët që të orientohen drejt ndryshimeve të pjesshme, në mënyrë që antagonizimi i tyre i fortë të mos pengojë në mënyrë përfundimtare as teknologjinë dhe as depolitizimin.
Ilir Rusmali tha se një mekanizëm i ri duhet sepse e kërkon ODIHR prej kohësh. Sipas tij e vërteta është që të dy palët e duan ndryshimin, pasi ka rënë besimi edhe tek mekanizimi i komisioneve të ekuilibruara politikisht. Si Edi Rama në opozitë edhe Lulzim Bash kanë deklarata të regjistruara ku mallkohen komisionerët, tha ai por për ndryshim nuk shërben frika, duhet guxim.
ma.me