Pushuesit vështirë të gjejnë hapësira publike në plazhet e shumta të Durrësit. Ekzistojnë vetëm plazhet private me pagesë, ndërsa ata që duan të pushojnë nën hijen e çadrës së tyre në bregdet e kanë thuajse të pamundur.
Kjo situatë e përsëritur ndër vite dhe këtë sezon ka marrë vëmendjen e strukturave ligjzbatuese, që kanë nisur kontrollet e subjekteve për shlyerjen e detyrimeve tatimore e vendore, si dhe marrjen e masave të sigurisë në hapësirat e brezit të rërës që shfrytëzojnë për qëllime fitimi pa përjashtuar ruajtjen e sipërfaqes për të cilën kanë marrë leje pranë pushtetit vendor. E ngritur pranë prefekturës së qarkut Durrës për mbarëvajtjen e sezonit turistik, “forca e ligjit” ka nisur kontrollet në plazhe.
“Po ushtrojmë aktivitetin në plazhet e Durrësit kontrolle për plazhet, hoteleritë dhe restorantet. Në këtë grup marrin pjesë disa institucione të lidhura me mbarëvajtjen e sezonit turistik. Kontroll është ushtruar dhe për parkimet e mjeteve motorike lundruese të argëtimit. Në Currila nuk ka pasur probleme po në plazhe të tjera janë konstatuar probleme dhe po monitorohen për marrjen e masave në vazhdim”, tha Jani Tati, drejtues i Task Force prefektura Durrës.
Këtë fillimjave, kontrolli është përqendruar në plazhin e Currilave, ku hapësira publike, ndonëse e vogël në krahasim me atë të shfrytëzuar nga subjektet, është respektuar dhe pushuesit të pashqetësuar shijojnë banjot e diellit e të ujit.
Ndërkohë, në fokus të kontrolleve është dhe cilësia e ujit të pijshëm që ofrohet nga subjektet në bare e restorante, si dhe ujit të përdorur në pishina dhe atij detar në pjesën para plazheve.
ma.me