Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka zhvilluar sot një takim me homologun e tij ukrainas, Petro Poroshenko. Mes dy liderëve një nga temat e diskutimit ishte edhe pavarësia e Kosovës, për të cilën edhe Ukraina është kundër. Vuçiç pas këtij takimi tha se shteti i tij dëshiron që të gjitha problemet në Ukrainë të zgjidhen në mënyrë paqësore, duke potencuar edhe përkrahjen e presidentit ukrainas që Serbia të arrijë sa më shpejtë një zgjidhje me Kosovën, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, Ukraina e ka këtë pozicionim karshi Kosovës për arsye se edhe Serbia gjithmonë e ka respektuar integritetin territorial të Kievit zyrtar. Nga ana tjetër, Poroshenko tha se Ukraina megjithëse i qëndron vendimit për të mos ta njohur pavarësinë e Kosovës, dëshiron që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë sa më shpejtë një kompromis.
“Dua ta bëj të qartë se ne respektojmë integritetin territorial të Serbisë. Ne nuk e kemi njohur Kosovën sepse kemi marrë pozicionimin e tillë që kjo të zgjidhet përmes një kompromisi mes palëve, duke respektuar edhe interesat e Serbisë”, u shpreh Poroshenko. Vlen të theksohet se njëra ndër arsyet se pse Ukraina nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, është edhe territori i Krimesë, rajon ky i kontestueshëm mes palës ruse dhe asaj ukrainase tash e një kohë të gjatë.
a.ç