Komunikimi dhe gjuha është një aspekt i rëndësishëm në futboll. Trajneri u jep udhëzime lojtarëve, ndërsa këta të fundit bisedojnë edhe me njëri-tjetrin. Por në rastin e Belgjikës, që është skuadër shumëgjuhëshe, natyrshëm lind pyetja se si komunikojnë ata?
Duke iu referuar burimeve të veta, BBC thotë se trajneri dhe futbollistët e Belgjikës, por edhe pjesa tjetër e stafit, komunikojnë anglisht mes tyre. Nuk flasin as gjuhën holandeze dhe as atë franceze për të shmangur keqkuptimet, por mbi të gjitha për të shmangur pakënaqësitë për favorizimin e njërës gjuhë apo tjetrës.
Për këtë arsye është rënë dakord që në ekip të flitet anglisht. Shumica e belgëve flasin gjuhën holandeze, një pjesë tjetër e konsiderueshme flasin frëngjisht, ndërsa një komunitet i vogël është gjermanfolës. Edhe në fushë, futbollistët komunikojnë me njëri-tjetrin në gjuhën angleze.
Çështja e gjuhës në ekipin belg është diskutuar dhe më parë. Në vitin 2014, në një konferencë shtypi, mbrojtësi Thomas Vermaelen foli në gjuhën holandeze, ndërsa mbrojtësi tjetër Axel Witsel foli frëngjisht. Federata Belge e Futbollit, tha për “New York Times” në atë kohë se dy mbrojtësit organizojnë intervista veçmas për folësit francezë dhe holandezë. /b.d