Është shoqëruar me debate të shumta mbledhje e sotme në Komisionin e Ekonomisë mes anëtarëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës.
Në këtë komision ishte i pranishëm dhe ministri i Finanacave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj për prezantimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, por deputetja e PD, Jorida Tabaku kërkoi që në rend dite të vihej çështja e Teatrit.
Kjo prishje e rendit të ditës ka shkaktuar debate mes deputetëve të pranishëm në sallë gjë që ka bërë që kryetari i komisionit Erjon Braçe të ndërpresë mbledhjen
Tabaku: Çdo diskutim qe ne kemi bërë në këtë komision ka dalë i vërtetë. Kemi ngritur shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të taksave. Sot ka një kolaps me sistemin e taksave. Sot prona publike po falet, po grabitet, po i jepet një privati. Pasi qeveria rriti taksat me 5 mld euro nuk gjen dot para për Teatrin. Oligarkët janë duke marrë çdo tender. Negociatat nuk u hapën. I kemi pritur këto shqetësime. Qeveria është duke i përkeqësuar. Sot me pr/ligjin e Teatrit është afera më e madhe. Votat tona nuk do t’i ketë. Veliaj është mjeshtër për të sulmuar. Do kisha dashur të bënim një diskutim për teatrin, por parlamenti nuk ia lejoi Komisionit të Ekonomisë që ky ligj të kalojë. Me këtë ligj shkelet Kushtetuta e vendit. Shkelet ligji i koncensioneve. Tërhiqeni ligjin sa nuk është vonë.
Erion Braçe: Më vjen keq, po dua t’iu them që ligji që kemi përpara është tatimi mbi të ardhurat të ndryshuar dhe mendoj që ky ligj që ul tatimin 5% për subjektet që do të merren me agroturizëm, është me interes. Për këtë ligj kemi ardhur dhe për këtë ligj ndodhet Ahmetaj. Ligji i Teatrit do fillojë të diskutohet në dy komisione të tjera. Nuk e vendos unë nëse duhet të diskutohet projektligji i Teatrit këtu.
Më pas ka vijuar debati mes kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Braçe, dhe deputetit të PD, Bardh Spahia.
Spahia: Duhet të diskutohet ligji i Teatrit.
Braçe: Nuk merr vesh nga kjo punë ti. Shko në Komisionin e Shëndetësisë, bëj ndonjë punë atje.
Spahiu: O Erjonush.
Braçe: Ndërpritet mbledhja e komisionit.